2016-04-16 11:18:00

Papa refugjatëve: në Lesbos për zgjidhjen e krizës humanitare


Në kampin e refugjatëve të Morias, Papa theksoi: “Erdhëm për të tërhequr vëmendjen e botës mbi këtë krizë të rëndë humanitare e për të kërkuar edhe rrugëzgjdhje. Shpresojmë se bota do të zgjohet përballë këtyre situatave vërtet tragjike, në të cilat ndjehet nevoja për gjithçka".

Figura, që vlejnë më shumë se çdo fjalë, ato të takimit tejet prekës të Papës me refugjatët e kampit të Morias, në Lesbo. Françesku përshëndeti posaçërisht fëmijët, shumë prej të cilëve qanin e kërkonin ndihmë, me dëshpërim thellësisht ngashëryes.  E Papa i përqafoi me dashuri ati e u foli fjalë ngushëlluese.

Desha të isha me ju: këto fjalët e para, që u drejtoi refugjatëve. Dua t’ju them se nuk jeni vetëm. Në këto muaj e javë vuajtët tepër në kërkim të një jete më të mirë. Shumë nga ju u detyruan të ikin nga situata konflikti e persekutimi. Ikët, posaçërisht për fëmijët tuaj, për të vegjlit tuaj. Bëtë flijime të mëdha për familjet tuaja. E ju dhembi shumë kur latë pas gjithçka  të dashur që kishit e - kjo ndoshta gjëja më e vështirë – pa e ditur ç’ju priste në të ardhmen. Edhe shumë të tjerë, ashtu si ju, ndodhen në kampet e refugjatëve ose në qytet, në pritje, me shpresë se do të mund të ndërtojnë një jetë të re në këtë kontinent.

 Erdha këtu me vëllezërit e mi, Patrikun Bartolomeu dhe Kryepeshkopin Hieronymos vetëm e vetëm për të ndenjur me ju e për të dëgjuar historitë tuaja. Erdhëm për të tërhequr vëmendjen e botës mbi këtë krizë të rëndë humanitare e për t’u lutur që të gjendet rrugëzgjidhja. Si njerëz të fesë, dëshirojmë t’i bashkojmë zërat e të flasim hapur, në emër tuaj. Shpresojmë se bota do të jetë më e vëmendshme përballë njerëzve në gjendje të dëshpëruar, që kanë nevoja aq tragjike e do t’u përgjigjet në mënyrë të denjë për humanitetin tonë të përbashkët.

Zoti e krijoi gjininë njerëzore, që të ishte një familje e vetme. Prandaj, kur  ndonjë vëlla a motër vuan, prekemi të gjithë. E të gjithë e dimë, nga përvoja, sa e lehtë është për ndokënd t’i shpërfillë vuajtjet e të tjerëve, e deri t’i shfrytëzojë ligështitë e tyre. Por e dimë edhe se këto kriza mund të bëjnë të dalë në pah çka kemi më të mirë në shpirtin tonë. E patë ju vetë, sesi gjithë populli grek iu përgjigj bujarisht nevojave tuaja, ndonëse  edhe ai po kalon kohë të vështira. E patë edhe sesi shumë njerëz, posaçërisht të rinj, ardhur nga mbarë Evropa, e edhe nga bota, ngarendën për t’ju ndihmuar. Po, e dimë. Shumë mbetet akoma për të bërë. Por i falemi nderës Zotit që nuk na lë kurrë vetëm në çastin e vuajtjes. Është gjithnjë dikush, që mund të na e shtrijë dorën, për të na ndihmuar.

         E ky, mesazhi, që dëshiroj t’ju dorëzoj sot: mos e humbni kurrë shpresën! Dhurata më e madhe, që mund t’i bëjmë njëri-tjetrit është dashuria: është shikimi i mëshirshëm, kujdesi për t’ju dëgjuar, për t’ju kuptuar, fjala inkurajuese, lutja. Uroj ta ndani këtë dhuratë njëri me tjetrin. Ne, të krishterët, dëshirojmë të tregojmë episodin e Samaritanit të Mirë, njeriut të huaj, që e shikon tjetrin në vështirësi e ndalohet menjëherë për ta ndihmuar. Për ne është shëmbëlltyrë, që flet vetë për mëshirën e Zotit, e cila u përket të gjithëve. Ai është i Mëshirshmi. E është edhe thirrje, për të treguar të njëjtën mëshirë ndaj atyre, që kanë nevojë. Uroj që të gjithë vëllezërit e motrat tona në këtë kontinent, ashtu si Samaritani i Mirë, t’ju vijnë në ndihmë me këtë frymë vëllazërimi, solidariteti e respekti ndaj dinjitetit njerëzor, për të cilin u shqua gjatë gjithë historisë.

Të dashur miq, Zoti ju bekoftë të gjithë, në mënyrë të veçantë, fëmijët tuaj, pleqtë dhe të gjithë ata, që vuajnë në korp e në shpirt. Ju përqafoj të gjithëve me shumë dashuri. Mbi ju e mbi ata, që ju shoqërojnë, i lutem Zotit të reshë dhuratat hyjnore të qëndresës e të paqes!








All the contents on this site are copyrighted ©.