2016-04-16 11:12:00

Papa - Tsipras: falënderojmë Greqinë për fisnikërinë e saj


Takimi i parë i Papës në Lesbos, ishte ai me kryeministrin grek Alexis Tsipras: argumenti kryesor i bisedimit - shpjegon drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federico Lombardi - ishte kriza e refugjatëve dhe e emigrantëve e, më në veçanti, situata në ishullin Lesbos. U nënvizua se kriza e refugjatëve është problem evropian dhe ndërkombëtar e kërkon përgjigje mirëkuptuese, që respekton ligjet evropiane dhe ndërkombëtare. Papa e vlerësoi sjelljen njerëzore të popullit grek i cili, pavarësisht nga gjendja e vështirë ekonomike, dëshmoi solidaritet e përkushtim ndaj vlerave universale. Përveç kësaj, u nënvizua  nevoja për t’i mbrojtur njerëzit, që të mos humbasin më jetë në përpjekjen për të kapërcyer detin Egje e atë Mesdhe. U fol edhe për luftën kundër rrjeteve të trafikut të njerëzve si dhe për ndjekjen e procedurave të sigurta për arritjen dhe vendosjen në Evropë.

Duke u takuar me kryeministrin Tsipras, në Lesbo, Papa pohoi se kishte ardhur edhe për të falënderuar popullin grek për fisnikërinë e tij. Greqia - kujtoi - është djepi i njerëzimit e duket qartë se vijon të japë shembull humanizmi e ta dëshmojë me guxim bujarinë e saj.

Kryeministri grek e falënderoi Papën Françesku për mesazhin kundër luftës si dhe për kërkimin e mikpritjes, në një kohë kur liderët e tjerë të krishterë të Evropës merren me ngritjen e mureve.  








All the contents on this site are copyrighted ©.