2016-04-16 16:39:00

Me Papën në avion, 12 refugjatë sirianë: do të mikpriten në Vatikan


Papa deshi të bëjë një gjest mikpritjeje për refugjatët, duke marrë me vete, në avionin me të cilin udhëton drejt Romës, tri familje refugjatësh nga Siria, 12 vetë gjithsejt, nga të cilët, gjashtë fëmijë. Ishin të pranishëm në kampet e strehimit të Lesbos, para marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian e Turqisë.

Nisma, pasojë e bisedimeve Seli e Shenjtë, Bashkim Evropian, Turqi

Zëdhënësi i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federico Lombardi, para se të largohej nga Lesbos, u kujtoi gazetarëve se nisma e Papës u realizua përmes bisedimeve të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit me autoritetet kompetente greke dhe ato italiane.

Mikpritja, nga Vatikani, strehimi, nga Bashkësia e Shën Egjidit

Të gjithë anëtarët e tri familjeve janë myslimanë. Dy familje vijnë nga Damasku, një nga Deir Azzor (në zonën e pushtuar nga Daesh, Shteti i vetëshpallur Islamik), duke lënë pas shtëpitë e bombarduara. Për strehimin dhe mbajtjen e familjeve do të përgjigjet Vatikani. Në hapat e para do të jenë mysafirë të Bashkësisë së Shën Egjidit.








All the contents on this site are copyrighted ©.