2016-04-16 15:07:00

Lutja e Papës Françesku për emigrantët


Në përfundim të takimit me qytetarët dhe bashkësinë katolike, në Portin e Lesbos, Papa tha këtë lutje për emigrantët:

O Zoti i mëshirës,

Të lutemi për të gjithë burrat, gratë e fëmijët,

që u shuan pasi lanë trojet e veta,

në kërkim të një jete më të mirë.

Ndonëse shumë flejnë në varre pa emër,

Ti i njeh të gjithë, i do, i ngushëllon.

Mos i harrofshim kurrë, gjithnjë e nderofshim

flijimin e tyre me vepra, më fort se me fjalë…

 

Ty t’i besojmë të gjithë ata që e bënë këtë shtegtim

me shpirtin pushtuar nga frika, pasiguria, përbuzja,

për të arritur në vise të sigurta, plot shpresë.

Ashtu si Ti nuk e braktise tënd Bir,

kur Maria e Jozefi e strehuan në vend të sigurt,

kështu edhe sot ji pranë këtyre bijve e  bijave

përmes dhembshurisë tonë, mbrojtjes sonë.

Premto që, duke u kujdesur për ta,

të mund të ndërtojmë një botë

ku askush nuk detyrohet të lërë strehën e vet

e ku të gjithë të jetojnë në liri, dinjitet, paqe.

O Zot i mëshirës e Atë i të gjithëve,

na zgjo nga dremitja e indiferencës

e sytë na i hap për të parë vuajtjet e tyre,

e na çliro nga topitja

fryt i mirëqenies së kësaj bote,

fryt i mbylljes në vetvete.

Frymëzona të gjithëve: kombe e bashkësi e çdo njeri,

ta pranojmë se kush shkel në brigjet tona

është vëlla, është motër.

Ndihmona t’i ndajmë me ta bekimet

që morëm nga duart tuaja

e të pranojmë se të gjithë mbarë,

si një familje e vetme njerëzore,

jemi të gjithë emigrantë,

shtegtarë shprese, që drejtohen kah Ti:

shtëpia jonë e vërtetë,

atje, ku çdo pikë loti do të teret,

atje, ku do të gjejmë paqe,

e siguri në krahët e Tu.








All the contents on this site are copyrighted ©.