2016-04-16 10:00:00

Deklarata e përbashkët: emigrantët, mjaft më me udhëtime mortore


Tragjedia humanitare, që jetojnë emigrantët, kërkon përgjigje plot solidaritet, mëshirë, bujari si dhe impenjim të menjëhershëm praktik, sepse “mbrojtja e jetëve njerëzore është detyrë e dorës së parë”. Ky, pohimi kryesor i Deklaratës së përbashkët, nënshkruar në Lesbo nga Papa, Patriku Bartolomeu e Kryepeshkopi Hieronymos, në përfundim të takimit të tyre me refugjatët në ishullin grek Lesbos. Më poshtë, teksti i plotë i Deklaratës:

Ne, Papa Françesku, Patriarku Ekumenik Bartolomeu dhe Kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Hieronimos, u takuam në ishullin grek të Lesbos që të tregojmë shqetësimin tonë të thellë për gjendjen tragjike të shumë refugjatëve, emigrantëve dhe azilkërkuesve, të cilët kanë ardhur në Evropë, duke ikur nga situata konflikti dhe, në shumë raste, nga kërcënime të përditshme për jetën. Opinioni botëror nuk mund ta injorojë krizën kolosale humanitare, krijuar nga përhapja e dhunës dhe e konfliktit të armatosur, nga persekutimi dhe shpërngulja e pakicave fetare dhe etnike, si edhe nga çrrënjosja e familjeve prej shtëpive të tyre, duke dhunuar dinjitetin e tyre njerëzor dhe të drejtat e liritë e tyre themelore.

         Tragjedia e emigracionit dhe e shpërnguljes së detyruar prek miliona vetë dhe është, në thelb, krizë humaniteti, e cila bën thirrje për një përgjigje plot solidaritet, mëshirë, bujari dhe për një impenjim të menjëhershëm praktik. Nga Lesbos, ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’u përgjigjet me guxim dhe t’i përballojë krizën masive humanitare dhe problematikat, që e shkaktojnë atë, përmes nismave diplomatike, politike dhe bamirëse dhe përmes përpjekjeve të përbashkëta, si në Lindjen e Mesme, ashtu edhe në Evropë.

         Si kryetarë të Kishave tona, ne jemi “një” në dëshirën për paqe dhe në gatishmërinë për të promovuar zgjidhjen e konfliktit përmes dialogut dhe pajtimit. Ndërsa i njohim përpjekjet e bëra deri tani për të ndihmuar e për t’u kujdesur për refugjatët, emigrantët dhe azilkërkuesit, ne u bëjmë thirrje krerëve të politikës të përdorin çdo mjet për t’u siguruar që individët dhe bashkësitë, përfshirë të krishterët, të qëndrojnë në atdheun e tyre dhe të gëzojnë të drejtën themelore për të jetuar në paqe e në siguri. Nevojitet urgjentisht një konsensus më i madh ndërkombëtar dhe një program asistence për të mbështetur shtetin ligjor, për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut në këtë gjendje të papranueshme, për të përkrahur pakicat, për të luftuar trafikun dhe kontrabandën e njerëzve, për të eliminuar rrugët e pasigurta, si ato përmes Egjeut dhe krejt Mesdheut dhe për të vendosur procedura të sigurta sistemimi. Në këtë mënyrë, do të jemi në gjendje t’i ndihmojmë vendet e përfshira drejtpërdrejt, në plotësimin e nevojave të kaq shumë motrave e vëllezërve të vuajtur. Në veçanti, ne i shprehim solidaritetin popullit të Greqisë, i cili, pavarësisht nga vështirësitë ekonomike, i është përgjigjur me bujari kësaj krize.

         Së bashku, ne impenjohemi solemnisht për t’i dhënë fund luftës dhe dhunës në Lindjen e Mesme, për një paqe të drejtë e të qëndrueshme dhe për kthimin me dinjitet të atyre, që janë detyruar t’i braktisin shtëpitë. Ne u kërkojmë bashkësive fetare t’i shtojnë përpjekjet për të pritur, për të ndihmuar e për të mbrojtur refugjatët e të gjitha feve, si edhe shërbimeve të ndihmës civile dhe fetare t’i koordinojnë nismat. Për sa kohë të jetë e nevojshme, ne i nxisim të gjitha vendet ta zgjasin të drejtën e përkohshme për strehim politik, t’u japin statusin e refugjatit atyre që u takon, t’i zgjerojnë përpjekjet për ndihmë dhe të punojnë me të gjithë gratë e burrat vullnetmirë për fundin e menjëhershëm të konflikteve në vijim.

         Sot, Evropa përballet me një nga krizat më serioze humanitare që nga fundi i Luftës II Botërore. Për t’iu përgjigjur kësaj sfide të rëndë, ne u bëjmë thirrje të gjithë ndjekësve të Krishtit të kujtojnë fjalët e Zotit, mbi bazën e të cilave, një ditë, do të gjykohemi: “Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë… Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25:35-36, 40).

         Nga ana jonë, duke iu bindur vullnetit të Zotit tonë Jezu Krisht, ne jemi të vendosur plotësisht e me gjithë zemër t’i thellojmë përpjekjet për promovimin e bashkimit të plotë të të gjithë të krishterëve. Ne ripohojmë bindjen se “pajtimi (ndërmjet të krishterëve) përfshin edhe promovimin e drejtësisë shoqërore ndërmjet gjithë njerëzve… Së bashku, ne do ta bëjmë detyrën tonë që emigrantët, refugjatët dhe azilkërkuesit të priten njerëzisht në Evropë” (Charta Oecumenica, 2001). Duke mbrojtur të drejtat njerëzore themelore të refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve, si edhe të shumë njerëzve të mënjanuar në shoqëritë tona, ne synojmë plotësimin e misionit të Kishës për t’i shërbyer botës.

         Takimi ynë, sot, ka për qëllim t’u japë guxim e shpresë atyre, që kërkojnë strehë dhe atyre, që i mirëpresin dhe i ndihmojnë. Ne i kërkojmë me urgjencë bashkësisë ndërkombëtare ta konsiderojë përparësi mbrojtjen e jetëve njerëzore dhe, në çdo nivel, të mbështesë politika gjithëpërfshirëse (integrimi) për të gjitha bashkësitë fetare. Gjendja e tmerrshme e atyre, që preken nga kriza aktuale humanitare, përfshi vëllezërit dhe motrat e shumta të krishtera, na nxit për lutje të vazhdueshme.

 

Lesbos, 16 prill 2016

 

Hieronimus II                         Françesku                               Bartolomeu I 








All the contents on this site are copyrighted ©.