2016-04-16 10:00:00

Françesku: Evropa të jetë atdheu i të drejtave, të mos i rikthejë emigrantët


“Përsëris thirrjen e ngutshme për përgjegjësi e solidaritet, përballë  emergjencës dramatike”. Është një nga fragmentet e fjalimit, që Papa Françesku u drejtoi qytetarëve dhe mbarë bashkësisë së Lesbos, gjatë një takimi shumë të përzemërt në portin e ishullit.

 Më pas, falënderimi me gjithë zemër i të atyre, që përpiqen për t’i mikpritur emigrantët. E akoma, nxitja për ta ndërtuar përsëri paqen, atje ku lufta la pas vetëm gjak e gërmadha. Për të qenë vërtet solidarë - nënvizoi Françesku - duhen zhdukur shkaqet e situatës e të  mos vihen në jetë politika të njëanshme. Më poshtë, teksti i plotë i fjalimit të Atit të Shenjtë:

Personalitete të nderuara,

të dashur vëllezër e motra,

         që kur Lesbos është kthyer në pikëmbërritje për shumë emigrantë në kërkim të paqes e të dinjitetit, ndjeva dëshirën të vij këtu. Sot, falënderoj Zotin që ma bëri të mundur këtë. E falenderoj edhe zotin President, Paulopoulos, që më ftoi, së bashku me Patriarkun Bartolomeu dhe me Kryepeshkopin Hieronimos.

         Dua të shpreh admirimin tim për popullin grek, i cili, pavarësisht nga vështirësitë e mëdha që i duhet të përballojë, diti ta mbajë hapur zemrën dhe portën. Shumë njerëz të thjeshtë vunë në dispozicion atë pak që kishin, për ta ndarë me tjetrin, që s’kishte asgjë. Zoti do të dijë ta shpërblejë këtë bujari, ashtu si atë të kombeve përreth, të cilat, që nga çastet e para, pritën me gatishmëri të madhe, emigratët e shumtë.

         Bekuar qoftë edhe prania bujare e shumë vullnetarëve dhe e shumë shoqatave, që, së bashku me institucionet e ndryshme publike, sollën dhe sjellin ndihmën e tyre, duke e shprehur konkretisht afërsinë e tyre vëllazërore.

         Sot, dua ta përsëris thirrjen e zjarrtë për përgjegjësi dhe solidaritet para kësaj gjendjeje, vërtet dramatike. Shumë refugjatë, që ndodhen në këtë ishull e në anë të ndryshme të Greqisë, po jetojnë në kushte kritike, në një atmosferë ankthi dhe frike, nganjëherë edhe dëshpërimi, për shkak të vështirësive materiale dhe të pasigurisë për të ardhmen.

         Shqetësimet e institucioneve dhe të njerëzve, këtu në Greqi, ashtu si në vende të tjera të Evropës, janë të kuptueshme dhe të ligjshme. E, megjithatë, nuk duhet harruar kurrë se emigrantët, para se të jenë numra, janë njerëz, janë fytyra, emra, histori. Evropa është atdheu i të drejtave të njeriut e, kushdo vë këmbë në tokën evropiane, duhet ta provojë këtë. Fatkeqësisht, disa prej tyre, ndër të cilët edhe shumë fëmijë, nuk mundën as të mbërrijnë: e humbën jetën në det, viktima të udhëtimeve çnjerëzore e të nënshtruar ndaj angarive të xhelatëve të poshtër.

         Ju, banorët e Lesbos, dëshmoni se në këto troje, djep i qytetërimit, pulson akoma zemra e atij njerëzimi, që di të njohë së pari vëllain e motrën, e atij njerëzimi, që dëshiron të ndërtojë ura e që i largohet iluzionit se ngritja e gardheve sjell më tepër siguri. Në fakt, barrierat krijojnë ndarje, në vend që ta ndihmojnë përparimin e vërtetë të popujve e ndarjet, herët a vonë, shkaktojnë ndeshje.

         Për të qenë vërtet solidarë me ata, që detyrohen të ikin nga toka e tyre, duhet punuar për të zhdukur shkaqet e këtij realiteti dramatik: nuk mjafton të kufizohemi në ndjekjen e emergjencës së çastit, por duhet të hartojmë politika me frymëmarrje të gjerë, jo të njëanshme. Para së gjithash, është e nevojshme të arrihet paqja aty ku lufta ka sjellë shkatërrim e vdekje dhe duhet penguar ky kancer të përhapet gjetiu. Për këtë, duhet kundërshtuar vendosmërisht përhapja dhe trafiku i armëve, së bashku me komplotet e tyre, shpesh, të fshehta; duhen privuar nga çdo mbështetje ata, që bëjnë plane për urrejtje e dhunë. Ndërkaq, duhet promovuar pa u lodhur bashkëpunimi ndërmjet vendeve, organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve humanitare, jo duke e izoluar, por duke e mbështetur atë, që i bën ballë emergjencës. Në këtë perspektivë, ritheksoj urimin për suksesin e Takimit të parë Humanitar Botëror, që do të mbahet në Stamboll, muajin e ardhshëm.

         E gjithë kjo mund të bëhet vetëm së bashku: së bashku mund e duhet të kërkohen zgjidhje të denja për njeriun përsa i përket çështjes së ndërlikuar të refugjatëve. E për këtë, është i domosdoshëm edhe kontributi i Kishave dhe i bashkësive fetare. Prania ime këtu, së bashku me Patriarkun Bartolomeu dhe me Kryepeshkopin Hieronimos, synon të dëshmojë vullnetin tonë për të vazhduar bashkëpunimin që kjo sfidë epokale të kthehet në rast, jo për ndeshje, por për zhvillimin e qytetërimit të dashurisë.

         Të dashur vëllezër e motra, para tragjedive, që e plagosin njerëzimin, Zoti nuk është indiferent, nuk është larg. Ai është Ati ynë, që na mbështet në arritjen e së mirës e në kundërshtimin e së keqes. Jo vetëm na mbështet, por në Jezusin, na ka treguar udhën e paqes. Përballë së keqes së botës, Ai u bë shërbëtori ynë e, me shërbimin e Tij të dashurisë, e shëlboi botën. Ky është pushteti i vërtetë, që lind paqen. Vetëm kush shërben me dashuri, ndërton paqen. Shërbimi na bën të dalim nga vetvetja e të kujdesemi për të tjerët, nuk i lë të shkatërrohen njerëzit e gjërat, por di t’i ruajë, duke kapërcyer perden e shpeshtë të indiferencës, që mjegullon mendjet dhe zemrat.

         Ju falenderoj, sepse ju jeni rojtarë të humanitetit, sepse kujdeseni me dhembshuri për korpin e Krishtit, që vuan në vëllain më të vogël të uritur e të huaj, të cilin ju e keni mirëpritur (shih Mt 25,35).

Efkaristò!








All the contents on this site are copyrighted ©.