2016-04-15 12:36:00

Papa: zemrës së përvujtë, Zoti i jep gjithnjë hirin për t’u ngritur me dinjitet


Zemrës së ngurtë, që dëshiron të bëhet e butë, Zoti i jep gjithnjë hirin dhe “dinjitetin” për t’u “ringritur”, duke ta ulur hundën, nëse është e nevojshme. Papa Françesku e theksoi këtë sërish gjatë meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, duke komentuar pjesën ungjillore të kthimit të Shën Palit Apostull

         Edhe kur jemi të zellshëm për punët kishtare, nuk do të thotë se e kemi zemrën të hapur për Zotin. Duke cituar shembullin e Palit të Tarsit, njeri i zjarrtë, besnik ndaj parimeve të veta, Papa Françesku shpjegoi se njeriu mund ta ketë zemrën të mbyllur, krejtësisht shurdhe për Krishtin, deri në atë pikë sa t’i shfarosë ndjekësit e tij, pasi e konsideron këtë diçka të drejtë.

Përulja, që ta shkrin zemrën

         Gjithçka përmbyset në udhën e shën Palit për në Damask e historia e këtij njeriu, vërejti Ati i Shenjtë, bëhet ajo e dikujt, që e lë Zotin t’ia ndryshojë zemrën. Palin e mbështjell një dritë e fuqishme, ai dëgjon një zë që e thërret, bie, bëhet i verbër për një farë kohe. “Sauli, i forti, i sigurti në vetvete, bie përtokë”, komentoi Papa, e aty e kuptoi të vërtetën, ndjeu se nuk ishte ashtu siç e donte Zoti. Zëri nga qielli nuk i thotë vetëm “Pse më salvon?”, por edhe e fton të ngrihet:

         “‘Ngrihu e do të të tregohet’. Pra, ti duhet të mësosh akoma. E kur filloi të ngrihej, nuk mundej, sepse ishte i verbër: në atë çast e humbi shikimin. ‘Dhe e la veten në dorë të Zotit’… e zemra filloi të hapej. Kështu, duke e marrë për dore, njerëzit që ishin me të e çuan deri në Damask, ku për tri ditë mbeti i verbër, as hëngri e as piu. Përtokë, Pali e kuptoi menjëherë se duhej ta pranonte këtë përulje, sepse kjo është rruga për ta hapur zemrën. Kur Hyji na përul apo lejon që kjo të ndodhë, e bën pikërisht për këtë punë: që zemra të hapet, të bëhet e butë, të kthehet kah Krishti Zot”.

Protagonist, Shpirti Shenjt

         Zemra e Palit shkrihet. Në ato ditë vetmie e verbërie, shpirti i tij ndryshon. Pastaj, Zoti i çon Ananinë, që vendos duart mbi të e Sauli rifillon të shikojë. Këtu, ka një aspekt, që duhet mbajtur mirë parasysh, nënvizoi Papa, duke kujtuar homelitë e ditëve të fundit:

         “Të kujtohemi se protagonistët e këtyre historive nuk janë as dijetarët e ligjit, as Shtjefni, as Filipi, as eunuku, as Sauli… Është Shpirti Shenjt. Protagonisti i Kishës është Shpirti Shenjt, që udhëheq Popullin e Zotit. ‘Dhe aty për aty i ra diçka prej syve si pare peshku dhe menjëherë iu kthye drita e syve, u çua dhe u pagëzua’(Vap 9,18). Zemra e ngurtë e Palit iu bind Shpirtit Shenjt”.

Dinjiteti për t’u ringritur

         Është bukur, përfundoi Papa Françesku, kur sheh se si Zoti i ndryshon zemrat, duke i kthyer njerëzit në të butë e të përvujtë:

         “Të gjithë ne kemi ngurtësi në zemër: të gjithë ne. Ta ngrejë dorën kush nuk ka, ju lutem. Të gjithë ne kemi. T’i lutemi Zotit të na bëjë ta shohim se kjo ngurtësi na flak përtokë. Të na dërgojë hirin e, nëse është e nevojshme, edhe përuljen, që të mos rrimë përtokë, por të ngrihemi me dinjitetin, me të cilin na ka krijuar Zoti, pra, të na dërgojë hirin për të pasur një zemër të hapur e të bindur ndaj Shpirtit Shenjt”.








All the contents on this site are copyrighted ©.