2016-04-15 19:30:00

Lesbos: emigrantët e qytetarët grekë e presin me padurim Françeskun


Do të jetë një nga ato gjeste, vizita e Papës Françesku nesër, në Lesbos, që, siç e ka thënë ai vetë të Enjten e Madhe, në Qendrën e Strehimit për azilkërkuesit e Castelnuovo di Porto, flasin shumë më tepër sesa fjalët. Do të kalojë pak orë në tokën greke, nga e cila mund të dallosh dritat e mbrëmjes, që ndizen një nga një mbatanë, në tokën turke. Një rrip uji tepër i ngushtë, që të tundon menjëherë të dalësh në det të hapur e të arrish në Evropën e dëshiruar. Ky det ka parë shumë të gjallë, duke e realizuar këtë ëndërr, por edhe shumë, shumë të vdekur. Papa, Patriku Bartolomeu e Kryepeshkopi Hieronymus, së bashku në portin  e ishullit, do t’i drejtojnë Zotit lutjen e tyre për shpirtin e viktimave e do të hedhin në det tri kurora  dafinash. Një mendim për ata, që nuk ia dolën mbanë ta kapërcejnë detin, do të jetë çasti përfundimtar i vizitës, që gjithsesi, do të përqendrohet kryesisht tek  ata, që vijojnë ta mbajnë gjallë shpresën për të jetuar një jetë më të mirë: tek refugjatët, ata që kërkojnë strehim politik a ekonomik, sepse Papa nuk i bën kurrë dallimet, aq të dashura për politikën.

Françesku do t’i përqafojë në qendër të Morias, që u bë e famshme pas marrëveshjes BE-Ankara e që, sipas organizatave humanitare, e shndërroi këtë vend në burg.

Kështu nis kjo ditë kaq e ngarkuar e Papës, të cilin do ta ndjekim hap pas hapi, nesër, në Lesbos.  








All the contents on this site are copyrighted ©.