2016-04-15 09:30:00

“Jubileu”. Cilat janë shëmbëlltyrat e mëshirës


Emisioni i 34-të i rubrikës sonë kushtuar “Jubileut”, i jep përgjigje pyetjes: “Cilat janë shëmbëlltyrat e mëshirës”.  

Nis me porosinë: “Të jeni të mëshirshëm, siç është i mëshirshëm Ati Juaj” (Lk, 6,36). Është një nga pohimet më të guximshme të Jezusit. Që Hyji Atë ishte i mëshirshëm, këtë e dinte mirë populli judaik; por si mund të mendohej që qeniet njerëzore mund të ishin si Zoti? Se mund të jesh edhe ti i mëshirshëm, si Ati ynë? E pastaj, pse duhet të jesh si Ai? “Ungjilli i Mëshirës” siç u quajt Ungjilli i shkruar nga Shën Luka, e tregon jetën e Jezusit, duke zgjedhur mëshirën si fill  përcjellës. E para se të flasë për mëshirën, Jezusi na bën ta prekim e ta shikojmë. Një nga mrekullitë e Tij të para e bën për të gërbulurin. Sa e pa, pati mëshirë, shtriu dorën dhe e preku (Mk 1,41). I pushtuar nga mëshira, Jezusi nuk ka pikë frike se mund t’i ngjitet sëmundja e tmerrshme.

E ulurima e të verbërit, që lypë dritë: “Jezus, bir i Davidit, kij mëshirë për mua!”(Lk 18,38), është më e fuqishme se zërat e atyre, që kërkojnë t’ia mbyllin gojën:

Takimet e Krishtit me të sëmurët e mëkatarët, janë të ngarkuara me mëshirë. Për mëshirë e shpëton gruan e pabesë nga mbytja me gurë (Gjn 8,11). Mënyra si e lë ta prekë një mëkatare, është fare e papranueshme për  Simonin, farizeun (Lk 7,36-50). Jezusi nuk flet për mëshirë abstrakte, e më shumë se ta përkufizojë, e kujton përmes shëmbëlltyrave. Cilave shëmbëllytyra? Pse, si e për kë tregohet kjo mëshirë me shëmbëlltyra?

Cilat janë shëmbëlltyrat e mëshirës?

Për njeriun, që e njeh mirë Biblën, shëmbëlltyrat e mëshirës na kujtojnë tre tregime të Ungjillit të Shën Lukës (15,1-37). Siç i kujtuam në emisionin e mëparshëm, janë: delja e humbur, drahma e rigjetur e  djali  i rikthyer. Por mëshira kujtohet edhe përmes shëmbëlltyrave të tjera, si ajo e dy huamarrësve dhe huadhënësit të tyre (Lk 7,41-43), e Samaritanit të mirë (Lk 10,29-37), e zotërisë së pasur e Lazrit të varfër (Lk 16,19-31), e gjykatësit të padrejtë dhe vejushës së pafytyrë (Lk 18, 2-8), e farizeut dhe publikanit në Tempull (Lk 18 10-14).

Janë pikërisht shëmbëlltyrat e Jezusit që e prekin, nga këndvështrime të ndryshme, temën e mëshirës, në Ungjillin e tretë. Shtatë prej tyre tregohen gjatë shtegtimit të Jezusit drejt Jeruzalemit (Lk 9,51-19,46). Vetëm shëmbëlltyra e shkurtër mbi huadhënësin e huamarrësin (Lk 7,41-43) tregohet gjatë predikimit në Galile. Meqenëse në Ungjillin e Lukës shtegtimi i madh është më shumë shpirtëror sesa fizik, ndjehet nevoja për ta rikujtuar mëshirën. Mëshira nuk është virtyt natyror, që varet nga karakteri i njeriut, domethënë kush është më i mirë, mund të jetë edhe më i mëshirshëm se një tjetër. Jo! Është një dëshirë e brendshme, që fiton pjekurinë duke ndenjur së bashku me Jezusin: mëshira mësohet përmes ndjekjes së Zotit. Natyrisht jo të gjitha shëmbëlltyrat e Jezusit e trajtojnë mëshirën, e kjo nuk komunikohet vetëm me shëmbëlltyra. Megjithatë, shëmbëlltyrat e mëshirës meritojnë një hapësirë më vete: nxitja për të qenë i mëshirshëm, si Ati, është kyçi për të hyrë në brendinë e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.