Martiri Atë Luigj Paliq lindi në Janjevë, dioqeza e Shkupit e Prizrenit,
më 14 prill 1878. Prindërit Toma e Paulina e pagëzuan me emrin Mati. Që i
vogël u thirr nga Zoti për rrugën rregulltare në radhët e fretërve të vegjël françeskanë.
Studioi në Shkodër, Troshan e Itali, ku më 23 shtator 1896 veshi zhgunin e Shën Françeskut.
Kushtet e përkohshme i bëri më 23 shtator 1897, të përjetshmet, më 8 dhjetor 1901. Mbas
meshës së parë, më 20 prill 1903, nisi misionin si bari i shpirtrave në Baz, 10 orë
larg Lezhës, e njëkohësisht mblodhi lëndën që i nevojitej për ndërtimin e Kishës së
re të Gllogjanit.
Nga fundi i shkurtit 1913 malazezët filluan persekutimin e shqiptarëve katolikë, duke
nxjerrë si pretekst dorëzimin e armëve. Bariu trim u kap e u burgos në burgun e Gjakovës,
në sa vizitonte besimtarët e shpërndarë në fshatra të ndryshme, për t'i përforcuar
në fenë e të parëve, e cila ishte në rrezik. I kërkuan ta mohojë publikisht këtë fe.
E dërmuan me shuplaka e me shkopinj, e pështynë, e fyen, pastaj e nxorën para një
gjykate, që e ngarkoi me shpifje. Së fundi, me 52 të burgosur të tjerë, e nisën rishtas
për Pejë. Pater Luzi ishte gjysmë i zhveshur, i mbuluar me plagë.
Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje treguan më pas se ai nuk mund të ecte më. Atëherë nisi
të hiqej zvarrë, i ngacmuar, i pështyrë, i shtyrë nga ushtarët. I mungonte vetëm Kryqi,
për t'i përngjarë plotësisht Krishtit. Një pop i bëri thirrjen e fundit të ndërronte
fenë, në se nuk donte të humbiste jo vetëm kokën, por dhe shpirtin, i cili do t'i
digjej në fund të skëterrës. Ai s'u përkul, nuk u thye as nga mundimet e as nga premtimet.
U tregoi atyre njerëzve të armatosur deri në dhëmbë se për të feja e populli i tij
vlenin më shumë se vetë jeta. E mbytën më 7 mars 1913, duke e shporuar me bajoneta
e kështu e bënë edhe më të ngjashëm me Krishtin e i falën një martir të ri Kishës
katolike në Shqipëri.
Gazetat evropiane të kohës, si e përshkruanin këtë ngjarje të shëmtuar, shkruanin:
"Nuk mund të mendohet që një punë e tillë të ngjasë në Evropën e shekullit XX". Gjithsesi
askush nuk e luajti gishtin për t'ia prerë rrugën tragjedive të tilla, për t'i dhënë
fund martirizimit të të krishterëve në trojet shqiptare. Pas Atë Luzit, mbytur barbarisht
nga serbët, do të binin në fushën e betejës për mbrojtjen e Ungjillit të Krishtit
disa qindra të tjerë.
E Evropa, rishtas me gojë hapur, sikur trojet shqiptare të mos ishin pjesë e saj,
do të çuditej duke parë si në Kolosetë moderne bijtë e Krishtit vijonin ta dhuronin
pa kursim gjakun për Kishën e tyre, për popullin e tyre, për Atdheun e tyre e, pse
jo, edhe për një Evropë më të krishterë, më të mirë! Shumë bujë bëri vdekja e tij.
E shumë hetime e bisedime diplomatike shkaktoi.
Më në fund, më 7 tetor 1913, në praninë e Kolonelit austro-hungarez Schueler, përfaqësuesit të qeverisë malazeze Sposojeviç, Imzot Lazër Mjedës dhe një turme pafund me rregulltarë e besimtarë, u bekua guri i parë i Kishës së re në Gllogjan. Të nesërmen, më 8 tetor 1913, e njëjta turmë u mblodh afër Janoshit, te varri i Atë Luzit, mbi krye të të cilit ishte vendosur një Kryq hekuri me këtë mbishkrim: "P. Aloysius Paliq, ndërroi jetë në vitin e Hyjit 1913" .
Ky varr, ku Imzot Mjeda çoi meshën e parë për shpirt të martirit, është kthyer prej kohe në vend shtegtimi e në të ardhmen urojmë të kthehet në një altar të ri. Martiri fitoi!
All the contents on this site are copyrighted ©. |