2016-04-14 13:51:00

Papa: jetojmë në kohë të vështira për Ungjillin, duhet guximi i martirëve


Sot, të krishterët janë të thirrur të imitojnë guximin e martirëve, në një kulturë, shpesh armike me Ungjillin: kështu u tha Papa eprorëve dhe seminaristëve të Kolegjit Papnor Skocez, të cilët i priti në Vatikan, në 400-vjetorin e shdërrimit të strukturës në seminar për formimin e meshtarëve.

Pikërisht 400 vjet më parë, në marsin e vitit 1615, një meshtar jezuit skocez, shën John Ogilvie, torturohej e vritej gjatë persekutimit antikatolik në Skoci. Akuzohej për tradhti ndaj mbretit, sepse i qëndronte besnik Papës: kremtonte fshehurazi meshë dhe u jepte Sakramentet katolikëve të mbyllur nëpër burgje. Një vit më vonë, kujtoi Papa Françesku, edhe 16 burra të tjerë të guximshëm vendosën të ktheheshin në Skoci si meshtarë për të predikuar Ungjillin, pavarësisht nga rreziku. Ai vendim, nënvizoi Ati i Shenjtë, u mor pasi martiri jezuit derdhi gjakun për fenë:

“Martirizimi i shën John Ogilvie, dënimi i të cilit synonte ta heshtonte fenë katolike, në të kundërtën, qe impuls për promovimin e saj dhe për mbrojtjen e lirisë së Kishës që të mbetej në bashkim me Selinë e shën Pjetrit”.

Guximi i vetëm 16 vetëve, theksoi Papa, që 400 vjet më parë shpallën Ungjillin me kokën në rrezik, solli fryte të mrekullueshme në Skoci:

“Edhe ne jetojmë në kohë martirizimi e në një kulturë, shpesh, armike me Ungjillin. Ju nxis të keni të njëjtin shpirt përkushtimi, që patën paraardhësit tuaj. Ta doni Jezusin mbi çdo gjë!”

 Papa fton të imitohet hovi e zjarri shpirtëror i atyre meshtarëve, për të qenë dëshmitarë të mëshirës së Zotit, sidomos ndër të rinjtë dhe ndër ata që nuk e njohin Krishtin, duke i takuar në jetën e tyre të përditshme. 








All the contents on this site are copyrighted ©.