2016-04-14 09:30:00

Famullitari i Lesbos: Papa pranë emigrantëve, për t’i kujtuar botës se janë njerëz.


Askush nuk vjen në Lesbos, vetëm për të ikur nga shtëpia. Është dëshmia e vullnetarëve të Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët, që punojnë me emigrantët në Greqi. Ata flasin për pleq, për njerëz të gjymtuar, të tronditur në mijëra mënyra, pa bërë dallim ndërmjet emigrantëve ekonmikë e atyre, që ikin nga lufta. Në ishull, ku Papa do të jetë pasnesër, Jrs dhe Caritas Internationalis, denoncuan dje shkeljet e të drejtave të emigrantëve të cilët, në Lesbos, banojnë në kampin e Mories, “tani qendër e mbyllur” - siç lexohet në një notë të Karitasit - nga e cila refugjatët dhe emigrantët nuk lejohen të dalin. Sipas jezuitëve, të cilët ndodhen edhe në Lesbos për t’u shërbyer emigrantëve, marrëveshja evropiano-turke i bie ndesh ligjit ndërkombëtar si dhe parimit, sipas të cilit njerëzit që kanë nevojë për mbrojtje, nuk duhet të kthehen nga kanë ardhur.   

 

Dëshmia e atë Leone Kiskinis, i vetmi famullitar katolik në Ishullin Lesbos, të cilin Papa do ta vizitojë më 16 prill.

Përgjigje: - Është një mori dëshmish nga e gjithë bota, që tregojnë se emigrantët, para se të jenë numra për t’u shpërndarë në kampet e strehimit, janë njerëz e kanë një emër. Prej këndej, duhen trajtuar me dinjitet, si njerëz që janë. Që kur u ul në fronin papnor, Françesku ka dhënë gjithnjë shenja afërsie me njerëzit e braktisur, me ata, që u rrëmbehet deri dinjiteti njerëzor. Nuk mund ta harrojmë shtegtimin e tij të parë në Lampeduzë, pikërisht për të qenë sa më pranë refugjatëve, që vinin nga Afrika. Të njëjtën gjë po bën edhe tani në Lesbos.

Pyetje: - Papa arrin në Lesbos në një çast kur Bashkimi Evropian po përballon një betejë të fortë në vetë gjirin e tij. Shikojmë qëndrimet që po mban Austria në kufi me Italinë, por edhe ato të vendeve të ndryshme, të cilët po ua mbyllin portat emigrantëve. E ju mendoni se vizita e Papës do t’ia dalë mbanë të japë ndonjë sinjal, në një situatë të tillë?

Përgjigje: - Besoj se po. Para së gjithash nuk mendoj se vendimi për të ardhur këtu, në Lesbos, e jo në ndonjë anë tjetër të Greqisë - në Lesbos, që është pikarritje për këto njerëz, të cilët vijnë nga brigjet turke – mund të jetë i rastit. E kjo, sepse, pavarësisht nga prania e autoriteteve,  institucioneve, organizatave jo qeveritare, popullsia vendase, njerëzit e thjeshtë, po mbajnë një qëndrim vërtet vëllazëror e po tregojnë një humanitet, që nuk është parë kurrë këtyre anëve. Qytetarët e Lesbos nuk ua mbyllën portat, nuk ua mbyllën zemrat, nuk krijuan mure as perde të hekurta, por i pritën këta njerëz me shpresë se do të priten me të njëjtën ngrohtësi edhe në Evropë - në atë Evropë, që është pikërisht atdheu i të drejtave të njeriut. Prej këndej, sipas meje, këta njerëz, që arrijnë këtu nga bregdeti turk e që kërkojnë një ardhmëri më të mirë, duhet të provojnë shijen e mikpritjes  nga ana e Evropës të të drejtave të njeriut.

Pyetje: - Ka shumë rëndësi, e kjo është përsëritur që në fillim, përmasa ekumenike e këtij shtegtimi, e edhe përmasa ekumenike e një thirrjeje humanitare….

Përgjigje: - Pikërisht. Kështu është. E besoj se për ta zgjidhur këtë problem të krizës së emigracionit, nuk duhet punuar vetëm, por duhet bashkëpunuar, duhet punë dhe përpjekje e përbashkët. E jo vetëm për qeveritë dhe kombet  evropiane, por edhe për Kishat – Kishën katolike, Kishën ortodokse, Patriarkanën Ekumenike, Kishën ortodokse të Greqisë: të bashkëpunosh domethënë të japësh dëshminë e unitetit, në atmosferën e krizës së emigraconit. Ne jemi këtu si të krishterë e nuk bëjmë dallime race, kulture, gjuhe, feje, por punojmë për t’i lehtësuar sadopak këta njerëz, e edhe për të sensibilizuar bashkësinë evropiane, qeveritë, që të punojnë së bashku, jo secili për hesap të vet. Këta njerëz, që ikin nga lufta e nisen në drejtim të Evropës, në kërkim të një jete më të mirë, nuk kanë asnjë rrugëdalje tjetër. Nuk mund t’i ndalosh, prandaj, duke ndërtuar mure e perde. Në këtë drejtim ndjehet fort karakteri i thellë ekumenik i këtij shtegtimi të Papës.

Pyetje: - Ju jeni i vetmi famullitar katolik i ishullit Lesbos e, prej këndej, njëri nga protagonistët e këtij shtegtimi  të Françeskut në ishull. Si  e pritët lajmin e ardhjes së Papës ndërmjet jush?

Përgjigje: - Mbeta krejt i çuditur, aq sa s’u besoja veshëve, sepse unë jam famullitari e nuk isha i përgatitur për një vizitë të mundshme të Papës. Kisha katolike vendase vërtet është bashkësi e vogël, e edhe për këtë arsye unë jam i vetmi famullitar i ishullit. Këtu kemi vetëm një kishë katolike, por, pavarësisht nga kjo, besimtarët janë shumë të angazhuar në pritjen e këtyre njerëzve, sepse feja jonë nuk është abstrakte, është konkrete. Ne besojmë se shikojmë fytyrën e Jezusit të uritur, të zhveshur, të huaj, në fytyrat e këtyre njerëzve. Pavarësisht nga origjina e tyre, ne përpiqemi të shikojmë Krishtin, duke u dhënë një gotë ujë a një veshje për të mbuluar trupin.  Besojmë se ia bëjmë këtë vetë Krishtit.  Prandaj, në këtë kuptim, ardhja e Papës, përtej çështjes ekumenike e sensibilizimit të qeverive evropiane,  është edhe kënaqësi për këtë bashkësi të vogël, pikërisht  periferi e Kishës. E Papa Françesku është tejet i ndjeshëm ndaj periferive. Jemi në Evropë, jemi edhe fare pranë Italisë, por në këto ishuj, ku bashkësia katolike është pikërisht pakicë, ndjehemi “të përkëdhelur”, nëse mund të shprehem kështu, nga prania e Papës: e kjo do të thotë se Papa do t’i japë zemër, do ta vlerësojë këtë bashkësi të vogël, që përpiqet jo vetëm të jetojë, por edhe të jetë e dobishme, duke u folur krishterisht këtyre njerëzve, që vijnë nga bregdeti turk. Edhe pse 3-4 vjet më parë në ishull nuk kishte asnjë meshtar katolik, këta njerëz ditën ta jetojnë fenë vetëm, pa ndonjë prani baritore të vazhdueshme. E ja se në këto katër vjetët e fundit, ipeshkvi vendosi që në ishull të kishte një famullitar të përhershëm, e pastaj, pas katër vjetësh, këtu vjen vetë Papa… Prandaj mund të them me plot gojën se ndjehemi të përkëdhelur, ndonëse periferi…

Pyetje: - Ju folët për bashkësinë katolike të Lesbos: po unë dua të përfshij me shikimin tim mbarë bashkësinë, e të gjithë banorët e ishullit të Lesbos,  e t’i pyes nëse ka ndryshuar ndonjë gjë në marrëdhëniet e tyre me këtë prani emigrantësh. E dimë se gjendja në kampin e Morias ka ndryshuar. Që nga marrëveshja ndërmjet Bashkimit Evropian e Turqisë kjo pjesë e ishullit  pothuajse u militarizua e refugjatët po jetojnë si të burgosur, ç’po ndodh?

Përgjigje: -  Qëndrimi vëllazëror, plot afërsi, nuk ka ndryshuar. Por, disa muaj më parë, kishte banorë, që përpiqeshin t’i shpëtonin këta njerëz, të ardhur këtu me varka, nga brigjet turke. Tani këtë e bën Frontex, roja bregdetare evropiane. Kështu banorët e ishullit e ndjejnë veten më pak të angazhuar, nëse mund të përdorim këtë shprehje, në ndihmë të tyre. Kjo nuk do të thotë se nuk i ndihmojnë, por ndihma është më e paktë. Gjithsesi lidhja ndërmjet banorëve dhe emigrantëve nuk ka ndryshuar aspak, solidariteti vijon, ndonëse më pak ndjeshëm se në muajt e parë. Sepse tani janë anijet e Frontex, të Natos, që i presin këta njerëz e i shoqërojnë, pastaj, në portin e Mitilenës, për t’i shpërndarë në kampin e Morias.








All the contents on this site are copyrighted ©.