2016-04-13 13:25:00

Papa kujtoi 1050 vjetorin e pagëzimit të Polonisë


Në audiencën e përgjithshme duke përshëndetur shtegtarët polakë, Papa Françesku kujtoi se këto ditë Kisha në Poloni kremton 1050-vjetorin e pagëzimit të kombit. Ja si u shpreh Ati i Shenjtë:

“Së bashku me Barinjtë dhe besimtarët, falënderoj Zotin për këtë ngjarje historike, që në rrjedhë shekujsh formoi fenë, përshpirtërinë dhe kulturën e atdheut tuaj, në bashkësinë e popujve, që Krishti i ftoi të marrin pjesë në misterin e vdekjes dhe të ngjalljes së Tij. Falënderojeni Zotin - sipas fjalëve të Shën Gjon Palit II - për dhuratën, që e morët më se njëmijë vjet më parë duke u pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt e duke u kredhur në ujin i cili, përmes hirit, përkryen në ne figurën e Zotit të gjallë, në ujin, valë përjetësie: “Burim uji, që gurron për jetën e pasosur”(Gjn 4,14).

I lutem Zotit që breznia e sotme dhe breznitë e ardhshme të polakëve të jenë gjithnjë besnike ndaj hirit të pagëzimit e të japin dëshminë e dashurisë për Krishtin e për Kishën. Zoti i mëshirshëm i dhëntë bekimin e Tij të gjithë popujve polakë, që jetojnë në vend e jashtë tij. Qoftë lëvduar Jezu Krishti!”.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, merr pjesë si Legat papnor në kremtimet jubilare, në Gniezno dhe në Poznań, nga 14 deri më 16 prill.








All the contents on this site are copyrighted ©.