2016-04-12 14:46:00

Papa: të tmerrshme apo të “edukuara”, persekutimet janë bukë e Kishës


“Persekutimet janë bukë e përditshme për Kishën”. Kështu pohoi Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar sot në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Ashtu siç i ndodhi Shtjefnit, martirit të parë, apo “martirëve të vegjël” vrarë nga Herodi, edhe sot – pohoi Papa – shumë të krishterë vriten për shkak të fesë në Krishtin e të tjerë akoma persekutohen “në mënyrë të edukuar” sepse duan të shfaqin vlerën e të qenurit “bij të Hyjit”.

Ekzistojnë persekutime të përgjakshme, si ato që shqyheshin nga bishte e egra për të gëzuar publikun në shkallët e stadiumeve apo si shpërthimet në ajër nga një bombë në dalje nga Mesha. E kemi persekutime që realizohen me doreza, në mënyrë të sjellshme, në dukje, persekutime të maskuara me “kulturë”, ato që të çojnë e të ngujojnë në një çosh të shoqërisë, ato persekutime që arrijnë të të heqin punën nëse nuk u përshtatesh ligjeve që “shkojnë kundër Zotit Krijues”.

Tregimi i martirizimit të Shtjefnit, përshkruar në pjesën e leximit të Veprave të Apostujve (Vp 7,51-8,1), që na propozon liturgjia e ditës, e nxiti Papën të reflektojë mbi realitetet e reja dhe ato të njohura që prej dymijë vjetësh që kanë të bëjnë me historinë e fesë së krishterë, mbi persekutimet:

“Persekutimet, do të thosha, janë bukë e përditshme për Kishën. Jezusi e ka thënë këtë. Ne, kur bëjmë pak turizëm nëpër Romë dhe shkojmë në Kolloseum, mendojmë se martirët ishin ata që u mbytën nga luanët. Mirëpo martirët nuk kanë qenë vetëm ata ty apo ata të tjerët. Martirët janë burrat e gratë e të gjitha ditëve: sot, ditën e Pashkëve, para tre javësh...Ata të krishterë që festonin Pashkën në Pakistan u martirizuan pikërisht pse festonin Krishtin e Ngjallur. E kështu historia e Kishës shkon përpara me martirët e vetë”.

Martirizimi i Shtjefnit shkaktoi një persekutim të egër kundër të krishterëve në Jerusalem, të ngjashëm me ato persekutime që pësohen nga ata që sot nuk janë të lirë ta rrëfejnë fenë në Jezusin. “ Mirëpo – vëren Papa – ekziston edhe një persekutim tjetër për të cilin nuk flitet aq shumë”, një persekutim i “maskuar me kulturë, i maskuar me modernitet, i maskuar me progres”:

“Është persekutimi – unë do ta thosha pak me ironi – i ‘edukuar’. Është fjala kur njeriu persekutohet jo për shkak të besimit (rrëfimit të fesë) në emër të Krishtit, por pse dëshiron t’i ketë dhe t’i manifestojë vlerat e Birit të Hyjit. Është një persekutim kundër Hyjit Krijues në personin e bijve të vetë! E kështu shohim çdo ditë se si fuqitë e ndryshme bëjnë ligje që detyrojnë të shkohet në rrugën e përcaktuar dhe një kombe që nuk i ndjek ligjet e tyre moderne, të mençura, apo nuk dëshiron t’i ketë në legjislacionin e vet, atëherë akuzohet, persekutohet në mënyrë të edukuar. Është persekutimi që ia heq njeriut lirinë, madje edhe mundësinë e mospranimit të këtyre ligjeve për arsye të ndërgjegjes!”.

“Ky është persekutimi i botës” që “heq lirinë”, ndërsa “Zoti – pohoi Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit – na bënë të lirë” për të dëshmuar “Atin që na ka krijuar dhe Krishtin që na ka shpëtuar”. E ky persekutim, shtoi, “ka edhe një kryetar”:

“Kreun e persekutimeve të ‘edukuara’, Jezusi e përmend me emër: është princi i kësaj bote. E kur fuqitë duan të imponojnë sjellje, dukuri, ligje kundër dinjitetit të Birit të Hyjit, i persekutojnë këta e shkojnë kundër Hyjit Krijues. Është një apostazi e madhe. Kështu jeta e të krishterëve shkon përpara me këto dy persekutimeve. Po mos të harrojmë se Zoti na ka premtuar se nuk do të largohet prej nesh. “Jini të vëmendshëm, rrini zgjuar! Mos bini në tundimin e shpirtit të botës. Jini të kujdesshëm. Po, ecni përpara, Unë do të jem me ju”.








All the contents on this site are copyrighted ©.