2016-04-12 11:51:00

Më 12 prill kalendari Kishtar përkujton shën Zeno-n, ipeshkëv


Më 12 prill kalendari Kishtar përkujton shën Zeno-n, ipeshkëv. Qyteti i Veronës në Itali ka zgjedhur për Pajtor qiellor një ipeshkëv zezak, Zenon e, në kujtim të tij, ka ngritur një bazilikë madhështore, që u rindërtua disa herë e u bë qendër e kultit të Shenjtit.

Shën Zeno, sipas ‘Kronikës’, gojëdhënë mesjetare e Koronatit, noter gjenovez që jetoi nga fundi i shekullit VII, ishte me origjinë nga Afrika veriore, më saktësisht, nga Mauritania, pra ishte arab. Një origjinë e tillë, në mungesë të dokumentimit, vërtetohet nga stili i shkrimeve të tij, që të kujton shumë autorë të tjerë të njohur të Afrikës së kohës, si Apuleio, Tertuliani, Çipriani e Latanci.

Nuk dihet si as pse erdhi në Veronë së bashku me familjen. Nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh se në shekullin IV, pas përfundimit të persekutimeve të mëdha kundër të krishterëve, në Kishë nisi frymëmarrja universale, përmes shtegtimeve e shkëmbimit të përvojës ndërmjet njerëzve të shquar për njohjen e thellë të doktrinës e për shenjtërinë e tyre. Mjafton të kujtojmë se edhe Shën Venanci, ipeshkëv i Akuilesë (vdekur në vitin 367), Donati, prift në Milano e edhe Shën Agostini i madh, ishin afrikanë. Mendohet se arriti në Veronë së bashku me patrikun e Aleksandrisë, Atanazin që erdhi në Itali rreth viteve 340.
Si zu vend në qytetin e bukur venet, murgu afrikan jetoi në kuvend deri në vitin 362, kur u zgjodh pasardhës i ipeshkvit Kriçino, duke u bërë kështu ipeshkvi i shtatë i dioqezës së Veronës, së cilës i priu rreth dhjetë vjet, derisa vdiq më 12 prill të vitit 372. Mbeti në kujtesën e pasardhësve të tij e të besimtarëve si njeri shenjt, me virtyte të shquara. 

Për Shën Zenon flasin shumë dokumente si ‘Rhytmus Pipinianus” apo ‘Versus de Verona’, ku gjejmë edhe portretin i tij, ndërmjet ipeshkvijve të tjerë të vendit. Por ato që kanë më shumë rëndësi, janë 93 ‘Sermones’ apo predikime, nga të cilat 16 të gjata e 77 të shkurtra, të cilat e radhisin Shën Zenon në radhët e para të shkrimtarëve katolikë e të Etërve latinë. Për këtë arsye meriton të kujtohet ndërmjet doktorëve të Kishës për karakterin thellësisht shkencor të shkrimeve që na la trashëgim. 

Preku temat themelore të jetës kishtare, si vërtetësia e doktrinës trinitare, mariologjia, sakramentet e para të krishterimit (Pagëzimi e Eukaristia), liturgjia e Pashkëve, virtytet e krishtera të varfërisë, përvujtërisë e dashurisë si dhe detyrën për t’i ndihmuar të varfrit. E virtytet e krishtera më parë i jetonte, pastaj i predikonte, duke u bërë kështu shembull shenjtërie për të gjithë. Ndërtoi, në zonën e katedrales së sotme, Kishën e parë në Veronë, rrënuar plotësisht gjatë dyndjeve të hunëve e të avarëve, rindërtuar në vitin 806 e shuguruar në praninë e Karlit të Madh e të shumë njerëzve të tjerë të shquar të epokës, shkatërruar rishtas nga fiset barbare të hungarezëve. 

Sidoqoftë reliket e Shenjtit shpëtuan e ruhen në bazilikën e madhe që Verona ngriti për Pajtorin e vet, ku mund të soditen edhe shumë kryevepra arti, ndërmjet të cilave, ‘Porta e bronzit’, që njihet me emrin ‘Libri i bronztë’ e ‘Bibla e të varfërve’ në të cilën janë skalitur 48 episode biblike. Aty ruhet edhe shtatorja, që e paraqet Shenjtin të ri, të hijshëm, duke qeshur e duke vijuar t'i bekojë besimtarët në rrjedhë shekujsh nga froni ipeshkëvnor prej mermeri.

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.