2016-04-11 12:50:00

Papa: dijetarët e “letrës” e mbyllin zemrën për profecitë


Dijetarët e “letrës” i gjykojnë të tjerët duke përdorur Fjalën e Zotit kundër Fjalës së Zotit, duke ia mbyllur zemrën profecisë. Atyre nuk u intereson jeta e njerëzve, por vetëm skemat e ligjeve e të fjalëve. Kështu tha sot Papa Françesku në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan.

Në qendër të homelisë së Atit të Shenjtë, leximi i parë nga Veprat e Apostujve, ku dijetarët e ligjit e akuzojnë Shtjefnin se gënjen, pasi nuk arrijnë “t’i bëjnë ballë urtisë dhe shpirtit” me të cilin fliste. Nxisin dëshmitarë të rremë të thonë se ai blasfemonte kundër Moisiut e kundër Zotit. “Zemra e mbyllur për të vërtetën e Hyjit – nënvizoi Papa – kapet vetëm pas së vërtetës së ligjit, madje – saktësoi – më tepër se të ligjit, të letrës”, pra, të asaj, që është e shkruar. Njerëz të tillë, vërejti Ati i Shenjtë, nuk gjejnë rrugëdalje tjetër, përveçse gënjeshtrës e mashtrimit, deri në vdekje. Jezusi i pati qortuar për këtë qëndrim, u pati thënë se etërit e tyre i vrisnin profetët, ndërsa ata, tani, u ndërtonin atyre monumente. Përgjigjja e dijetarëve “të letrës”, theksoi Papa, qe cinike, më shumë se hipokrite: “Nëse do të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do ta kishim bërë të njëjtën gjë”. E kështu i lajnë duart, duke e konsideruar veten të pastër. Por, nënvizoi Françesku, e kanë zemrën të mbyllur për të vërtetën e Zotit, nuk e dëgjojnë lajmëtarin e Hyjit, që sjell profecinë për popullin:

 “E ndjej veten keq, kur lexoj këtë pjesë të vogël të Ungjillit sipas Mateut, ku Juda i penduar shkon te meshtarët dhe u thotë ‘Kam mëkatuar’ e dëshiron t’u japë… e u jep monedhat. “Ç’na duhet! – thonë ata. Punë për ty!’. Me zemër të mbyllur para këtij të gjori, që i penduar, nuk dinte ç’të bënte. ‘Punë për ty’…e kështu, shkoi e u var. E çfarë bëjnë ata, kur Juda shkon të varet? Mos flasin e thonë ‘Uuu, i gjori?’. Jo, jo! Shpejt monedhat: ‘Këto monedha janë pare gjaku, nuk mund të hyjnë në tempull’…rregulla numër kaq e aq e përtej… Doktorët e letrës!”.

E Papa Françesku vijoi:

“Nuk ka rëndësi për ta jeta e një njeriu, nuk pyesin për pendimin e Judës: Ungjilli thotë se u kthye, i penduar. Por atyre u intereson vetëm skema e ligjeve e fjalët e gjërat e shumta, që kanë ndërtuar mbi të. E kjo është ngurtësia e zemrës së tyre. …marrëzia e zemrës së këtyre njerëzve, e cila, meqë nuk i bënte dot ballë së vërtetës së Shtjefnit, shkon të kërkojë dëshmi e dëshmitarë të rremë për ta gjykuar”.

Shtjefni, pohoi Papa, përfundon si gjithë profetët, përfundon si Jezusi. Ky fat përsëritet gjatë historisë së Kishës:

 “Historia na flet për shumë njerëz që vriten, gjykohen, pavarësisht se të pafajshëm: janë gjykuar me Fjalën e Zotit, kundër Fjalës së Zotit. Të mendojmë për gjuetinë e shtrigave, ose për shën Zhanën d’Ark, për shumë të tjerë, që u dogjën, u dënuan, sepse nuk iu përshtatën Fjalës së Zotit. Është modeli i Jezusit, i cili, për t’i qëndruar besnik e për t’iu bindur Fjalës së Atit Qiellor, përfundon në kryq. Me sa dhembshuri, Jezusi u thotë dishepujve të Emausit: ‘O të pamend e zemërvonuar’. T’i kërkojmë sot Zotit, që me të njëjtën dhembshuri, të shohë marrëzitë e vogla e të mëdha të zemrës tonë, të na përkëdhelë e të na thotë “O i pamend e zemërvonuar’ e të fillojë të na i shpjegojë gjërat nga e para”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.