2016-04-11 18:56:00

Kisha në Tokën Shenjte: dënohet rifillimi i punimeve të Murit në Cremisan


Ndërtimi i Murit të ndarjes në zonën e Cremisan-it, në fillim të prillit 2016, hyri në fazën operative. Në zonë skuadrat e punëtorëve me eskavatorë, vinça e buldozerë vijojnë punën për të ngritur një pas një panelet prej çimentoje tetë metra të larta, në tokën e një lugine, ku një herë e një kohë qenë mbjellë drunjë shekullorë ullinjsh.

I zhgënjyer, Patriarkati latin i Jeruzalemit, e dënon këtë akt

Patriakti latin i Jeruzalemit, në një komunikatë të përhapur përmes kanaleve të veta zyrtare, pohon se është thellësisht i zhgënjyer dhe se e dënon këtë veprim, që po kryhet nga forcat izraelite.

“Ndërtimi i një Muri ndarës është konfiskim i padrejtë i tokave, që u përkasin familjeve të krishtrera të Beit Jala, lexohet në komunikatë, e edhe fyerje e dhunshme kundër procesit të paqes”.

Jo, Murit edhe nga Gjykata e Hagës, OKB-së dhe Gjykata e lartë izraelite

Në komunikatën patriarkale kujtohet se që më 9 korrik 2004, Gjykata Ndërkombëtare e drejtësisë e Hagës e pati quajtur të paligjshëm ndërtimin e Murit dhe pati kërkuar çmontimin e tij. Të njëjtin mendim pati shprehur edhe Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Në prill 2015 edhe Gjykata e Lartë izraelite pati pranuar se muri nuk mund të përligjet me ruajtjen e sigurisë së Izraelit.








All the contents on this site are copyrighted ©.