2016-04-11 16:00:00

Friso: “Amoris Laetitia” nxjerr në dritë bukurinë e familjes


Nxitja pas sinodale e Papës Françesku, “Amoris Laetitia”, vë në dukje bukurinë e familjes dhe fton të rizbulohet vlera e saj e madhe. E bindur për këtë fokolarinia Anna Friso, e cila së bashku me të shoqin, Alberto, është anëtare e Këshillit Papnor për Familjen. I kërkuam një mendim për dokumentin papnor:

Edhe ne e prisnim me padurim, sepse dëshironim një prononcim për familjen e plagët e saj. U befasuam kur dëgjuam se Papa thellohej në temën e dashurisë: të dashurisë bashkëshortore, të dashurisë familjare. Sepse për ta promovuar familjen, për t’i dhënë asaj dinjitet, është e nevojshme t’i tregojmë e t’i shpjegojmë edhe asaj vetë – pra, familjes – sa e rëndësishme është ta jetojë dashurinë, atë dashuri, që përbën bazën e saj themelore. Ndër të tjera, unë e im shoq kemi përvojë të gjatë familjare – këtë vit festojmë 50 vjetët “e parë” të martesës – dhe e dimë sa vlerë ka dashuria në familje, që nuk udhëhiqet nga asnjë interes tjetër, përveçse të mirës së tjetrit, lumturisë së tjetrit. E atëherë, në këtë përmasë gjejnë hapësirë të gjitha komponentet e dashurisë: në nivelin psikologjik, në nivelin sentimental, por edhe erotik. Kjo është veçori e dashurisë bashkëshortore, që duhet kujtuar e nuk duhet konsideruar si një e keqe e pranueshme, por si diçka e mirë: si dhuratë e mrekullueshme – siç thotë Papa – që u jepet bashkëshortëve si pajë, pas asaj “po”-je përgjithmonë.

Në dokument ka kapituj, ku reflektohet për gjendjet e vështira, për plagët e familjes… përmenden fjalë si “mëshira”, “shoshitja”, “integrimi”. A e prisnit këtë, apo e mendonit ndryshe?

Më duket se është marrë vërtet vendimi i drejtë: t’u jepet hapësirë të gjithëve. Mëshira është lejekalimi, është porta e hapur për të gjithë, duke marrë parasysh subjektivitetin e secilit. Të mos harrojmë se në çdo histori ndarjeje, në çdo dashuri që përfundon, në çdo ëndërr që prishet, ka gjithnjë shumë dhimbje. Prandaj, fillimisht, dhimbja ka një veprim purifikues shumë të madh e pastaj, në çdo vendim të mëvonshëm, kemi vështirësinë për të hyrë sërish në lojë. Besoj se në këtë rast, mund ta mirëpresim e të ndjehemi të mirëpritur nga Kisha nënë, por sidomos nga Zoti, i cili nuk resht së dashuri secilin prej nesh, në mënyrën e vet, që është ajo pa fund, ajo, që e hap zemrën për të gjithë.

Doktrina e Kishës, në rastin e të divorcuarve, nuk ndryshon, por ndryshon këndvështrimi, qëndrimi… e do të ndryshojë edhe puna baritore…

Vërtet, doktrina nuk ka ndryshuar e kjo është shumë e rëndësishme për ne, sepse kemi një bazë, që e konfirmon jetën tonë, na ndihmon t’u paraqesim të gjithëve një të vërtetë, e cila nuk perëndon: bukurinë e familjes së qëndrueshme, që riformohet çdo ditë me dashuri, në kuadrin e pazgjidhshmërisë, të cilën e ka të vetën, pikërisht sepse dashuria – dashuria bashkëshortore, dashuria njerëzore – e ka këtë në ADN-në e vet. Por edhe në vështrimin mbi situatat e veçanta, na duket se është përdorur vërtet çelësi i duhur, në mënyrë që për secilin të gjendet udha e pajtimit me Hirin e Tënzot, i cili vepron në shumë mënyra.








All the contents on this site are copyrighted ©.