2016-04-09 00:00:00

Shenjtorët e javës 10-17 prill


E diel 10 prill, Kisha katolike kremton të Dielën e Tretë të Pashkëve, gjithnjë më 10 prill kalendari përkujton edhe shën Magdalenën e Kanosës.

Të dielën e kaluar, tema qendrore ishte feja si takim me Krishtin e Ngjallur, që e mbush jetën me të vërtetën e si pasojë, nga ky takim rrjedhë dëshmia dhe misioni. E diela e Tretë e Pashkëve nënvizon faktin se si kthimi në rrugën e Zotit dhe tek Zoti, është përcaktim që i kërkohet njeriut për t’ia mbërrijë së vërtetës së jetës së vet, të vërtetës që është Krishti Gjallë Zot. Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së Diele të Pashkëve na paraqet brishtësinë njerëzore të Pjetrit apostull dhe forcën e fesë së tij: ajo bëhet shembull për çdo dishepull të Krishtit.

Të hënën më 11 prill, kalendari kishtar përkujton shën Stanislaun, ipeshkëv e martir, shën Gjemën Galgani. Liturgjia e ditës na fton të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit e të kujtojmë se i krishteri është i thirrur të sjellë fryte vëllazërimi, dashurie e shenjtërie, gjithnjë i mbështetur në hirin e Zotit.

Të martën më 12 prill, kalendari kishtar përkujton shën Julin I, papë, shën Jozef Moskatin, mjek nga Napoli, shën Zeno-n ipeshkëv i Veronës. Liturgjia e ditës na kujton se të krishterët e vërtetë do të urrehen ose do të kundërshtohen gjithnjë. E ka parafolur këtë vetë Jezusi, që është e Vërteta, por kush do të vijojë të ecë në rrugën e Tij, do të shëlbohet.

Të mërkurën më 13 prill, kalendari kishtar përkujton shën Martinin I, papë e martir, shën Ermenegjildën e shën Idën. Këta shenjtorë na ftojnë të përpiqemi për t’u bërë një gjë e vetme me Jezusin e me Atin Qiellor. Kështu jeta tokësore shndërrohet e njeriu kryen vepra dashurie, që burojnë nga Zoti.

Të enjten më 14 prill, kalendari përkujton shën Tibrucin, Valerianin e Maksimin, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se ta duash Zotin do të thotë të bësh vullnetin e tij në do çast të jetës.

Të premten më 15 prill, kalendari përkujton shën Abondin, Damianin De Vuester e Maronin. Liturgjia e ditës na kujton se kulmi i dashurisë ndaj Zotit është t’ua dhurosh të tjerëve gjithë vetveten me dashuri.

Të shtunën më 16 prill, kalendari përkujton shën Marinë Berndardetë Soubiroues, virgjër, shën Benediktin Jozef Labre. Në liturgjinë e ditës Jezusi na përsërit se dëshiron të mbretërojë në zemrat tona, duke na larguar nga shpirti çdo trazim.  

Të dielën e ardhshme më 17 prill, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e Katërt të Pashkëve, gjithnjë më 17 prill kalendari përkujton shën Simeonin, ipeshkëv e martir, Robertin, abat. Jezusi është bariu i mirë. Është bariu i dhembshur që na thërret për emër. Jemi të pasur me hire e bekime sepse  kujtojmë e përkujtojmë mrekullitë që Zoti i ka bërë për njeriun, e ndjejmë nevojën për t’i dhënë “faleminderit” për gjithë atë që na është ofruar e që kemi marrë. Këtë të diele kremtohen Dita botërore e lutjes për Thirrje (Vokacione) të shenjta.








All the contents on this site are copyrighted ©.