2016-04-08 11:13:00

Papa në Lesbo ndërmjet refugjatëve më 16 prill. Atë Lombardi: ftesë për veprim


Duke pranuar ftesën e Shenjtërisë së Tij Bartolomeu, Patrik Ekumenik i Kostandinopojës dhe të Presidentit të Republikës  së Greqisë Paulopoulos,  Papa Françesku do të shkojë në Lesbos, më 16 prill 2016.

Ati i Shenjtë, Shenjtëria e tij Bartolomeu dhe Fortlumturia e Tij Hieronimus II, Kryepeshkop i Athinës dhe i gjithë Greqisë, do të takohen me refugjatët e strehuar në ishull. Për këtë shtegtim të Papës, të dëgjojmë drejtorin e Sallës së Shtypit, atë Federico Lombardi, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Siç e dimë, Papa është gjithnjë shumë i vëmendshëm ndaj të gjitha emergjencave të botës së sotme, posaçërisht kur bëhet fjalë për njerëz që vuajnë, që kanë nevojë për solidaritetin tonë e për ndihmën tonë. Siç pati shkuar në Lampeduzë, pak muaj pas fillimit të Papnisë, për të shprehur afërsinë e tij në kufirin e Mesdheut, ndërmjet Afrikës e Italisë, kështu tani, që emergjenca është kaq e fortë në frontin e Egjeut, Papa dëshiron, natyrisht, ta shprehë - edhe konkretisht - pjesëmarrjen dhe shqetësimin e tij. Por, meqë jemi në një zonë e cila, në këndvështrimin e Kishës së krishterë është kryesisht ortodokse, po e bën këtë së bashku me autoritetet ortodokse kompetente, që janë Patriku i Kostandinopojës dhe Kryepeshkopi i Athinës. Është, pra, një gjest solidariteti e afërsie të krishterë për refugjatët dhe emigrantët, që kryhet ekumenikisht nga përfaqësuesit e Kishave të krishtera. Kjo, natyrisht, është ftesë që u drejtohet të gjithëve për përgjegjësi e angazhim të përbashkët: Papa nuk bën akte me karakter drejtpërdrejt politik; bën gjeste me karakter human, moral, fetar, jashtëzakonisht domethënëse, por që kujtojnë përgjegjësinë e secilit, sipas detyrës e gjendjes së tij në shoqëri e në marrëdhëniet me të tjerët. Prej këndej, natyrisht, është ftesë, e cila u drejtohet edhe politikanëve, për të vepruar në kërkim të rrugëzgjidhjeve më njerëzore,  respektuese e solidare ndaj njerëzve që vuajnë në këto lëvizje të mëdha problematike të botë së sotme.








All the contents on this site are copyrighted ©.