2016-04-08 13:31:00

Kardinali Schönborn. Fjalët kyçe: dashuri, shoqërim e shoshitje


Kryeipeshkvi i Vjenës, kardinali Christoph Schönborn, gjatë paraqitjes së Nxitjes apostolike të Papës Françesku “Amoris Laetitia” në Sallën e Shtypit, u ndalua tek fjalët kyçe të dokumentit: dashuri, shoqërim, shoshitje.

Fjala kyçe është dashuri: Amoris Laetitia. E kjo, edhe fjala e parë e kardinalit Christoph Schönborn në paraqitjen e dokumentit. Domethënë - shtoi prelati i lartë -  se Papa nuk flet për dhembshuri, por për dashuri. E vë dashurinë në qendër të vëmendjes. Në qendër të të gjitha ndjenjave e sjelljeve në jetën e çiftit e të familjes. Është himn i madh kushtuar dashurisë familjare. Që arrin kulmin në qendër të tekstit, në kapitullin IV,  është vërtet zemra e tij, sepse meditim i gjatë mbi Himnin e Shën Palit kushtuar dhembshurisë e  dashurisë, që gjindet në Kapitullin e 13-të të Letrës së parë drejtuar Korintianëve. Më pas kryeipeshkvi i Vjenës theksoi:

“Papa Françesku beson në dashurinë, në forcën tërheqëse të dashurisë, prej këndej edhe qëndrimi kritik ndaj sjelljeve, që synojnë ta rregullojnë gjithçka me norma, si dhe ndaj atyre, që mendojnë se mjafton të jesh në rregull me ligjin”.

Jo! Papa nuk beson në këtë. Kjo nuk e tërheq. Çka e tërheq, është dashuria. E ky, për mua si domenikan, është qëndrimi klasik i Shën Tomës së Akuinit, pohoi kardinali Cristoph Schönborn dhe shtoi:

“Është autori më i cituar ndërmjet teologëve, në të gjithë dokumentin, ndërmjet teologëve, mësuesve Etërve të Kishës. E bindja e thellë e Shën Tomës është se vetëm e mira na tërheq. Prandaj çdo veprim njerëzor synon të mirën, lumturinë. E ky është edhe ideali i familjes së krishterë”.

Ideal, që nuk mund të arrihet menjëherë, por hap pas hapi, Prej këndej- shtoi kardinali Cristoph Schönborn - fjala tjetër kyçe është “shoqërim”: shoqërim i fëmijëve nga prindërit, i besimtarëve nga barinjtë, i Kishës nga Papa. Shoqërim në një rrugë, ku ecim të gjithë, si familjet, që kanë fatin të jetojnë në paqe, ashtu edhe, e sidomos, familjet e plagosura. Prej këndej, “shoqërim” është fjalë kyçe për barinjtë.

E pastaj, fjala e tretë dhe e fundit: shoshitje. Është thellësisht injaciane. Papa është jezuit, i formuar nga Ushtrimet e Shën Injacit:

Shoshitja është një gjë që duhet ta bëjmë të gjithë, duke e pyetur veten çfarë dëshiron Zoti nga unë në jetën e përditshme, në çastet kur zgjedh rrugët e jetës, etj. etj. Shoshitja vlen edhe në raste të vështira. E këtu duhet nënvizuar fort vazhdimësia me Shën Gjon Palin II, sepse ky dokument bazohet, në një pjesë të mirë të tij, mbi ‘Familaris Consortio’. Papa Gjon Pali II thoshte: barinjtë, për dashuri ndaj së vërtetës, janë të detyruar t’i shoshitin situatat” .

Së fundi, kardinali Cristoph Schönborn kujtoi se ky dokument flet me një gjuhë të re, ashtu si edhe “Evangelii Gaudium”. Gjuhë e freskët, e kuptueshme, që të prek - pohoi - e që nuk u ngjet asaj të disa prej dokumenteve tona - gjë që duhet pranuar përvujtërisht - të cilat nuk janë edhe aq të lexueshme. Gjuha e këtij dokumenti ka shijen e jetës, të freskisë, të figurave. E flet për realitetin e jetës, ashtu si flet njeriu me njeriun, kur janë pranë e pranë!








All the contents on this site are copyrighted ©.