2016-04-08 10:01:00

Jubileu. Viti Shenjt i mëshirës: Shëmbëlltyrat e Mëshirës


Me emisionin e 33-të të rubrikës sonë “Jubileu, Viti Shenjt i mëshirës”,      po fillojmë një cikël të ri kushtuar këtij Viti të Jashtëzakonshëm.  Titullohet “Shëmbëlltyrat e Mëshirës”. Në emisionet e kaluara patëm kujtuar se, për t’u njohur më hollësisht me Mëshirën Hyjnore, në qendër të vëmendjes së Vitit Shenjt, Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri ka botuar tashmë një kolanë zyrtare, që titullohet pikërisht “Kolana e Mëshirës”. Përfshin veprat: “Kremtojeni Mëshirën”; “Rrëfimi, Sakrament i Mëshirës”; “Psalmet e Mëshirës”; “Shëmbëlltyrat e Mëshirës”; “Mëshira e Etërve”; “Shenjtorët e Mëshirës”; “Papët e Mëshirës”; “Mëshira shpirtërore e trupore”.

Do të ndalohemi, në vijim, tek “Shëmbëlltyrat e Mëshirës”. Na kujtojnë tre rrëfime të Ungjillit të Shën Lukës: atë të deles së humbur, të  monedhës së bjerrun edhe të djalit plangprishës. Në të vërtetë me mëshirën takohemi edhe në disa shëmbëlltyra të tjera. Janë tetë. Në këtë Vit të Jashtëzakonshëm, ia vlen t’i njohim nga afër. E, duke i njohur, do të vërejmë se janë thellësisht aktuale e na drejtojnë ftesën t’ia hapim zemrën Zotit e mëshirës së tij. Sepse të duket sikur i drejtohen secilit prej nesh, duke e ftuar të reflektojë për ngjarjet dhe lidhjet e përditshme.

Në Misericordiae Vultus Papa Françesku shkruan se duke ia ngulur sytë Jezusit dhe fytyrës së Tij të mëshirshme, mund të kuptojmë Dashurinë e Trinisë. Misioni që i ngarkoi Ati-Birit, nuk është tjetër, veçse ta zbulojë këtë dashuri, që u dhurohet të gjithëve, pa përjashtuar askënd. “Në Krishtin, gjithçka flet për mëshirë. Në Të nuk ka asgjë, së cilës i mungon mëshira”(MV 8) Kjo shprehje mund t’i prijë reflektimit të këtyre emisioneve. Të hysh në botën e shëmbëlltyrave, nuk do të thotë vetëm ta kuptosh mësimin që del prej tyre, por sidomos, të ndihmon të njohësh rolin tënd në këtë rrëfim. Ka shumë mundësi që asnjë rrëfim tjetër, më shumë se shëmbëlltyrat, të mos e bëjë lexuesin të marrë pjesë personalisht në ngjarje e edhe të ndërrojë rrugën e jetës.

Papa na fton ta perceptojmë mesazhin e shëmbëlltyrave, kur pohon: “Jezusi zbulon natyrën e Zotit Atë, që nuk heq kurrë dorë, derisa ta ketë mposhtur mëkatin e ta ketë mundur refuzimin, me dhembshuri e mëshirë”.   Në tri shëmbëlltyrat, që i kujtuam më lart, Zoti paraqitet gjithnjë plot me gëzim, posaçërisht kur fal. Në to gjejmë bërthamën e Ungjillit e të fesë sonë, sepse mëshira paraqitet si forcë, që fiton gjithnjë, gjithçka, që e mbush zemrën me dashuri e që ngushëllon me falje.

Dëgjues të dashur, nëse do t’i ndiqni me vëmendje shëmbëlltyrat e Mëshirës, do të gjeni në to një ndihmesë të vërtetë shpirtërore. Ju ftojmë, prandaj, t’i ndiqni këto shëmbëlltyra, që i flasin secilit nga ne, për të vijuar ta jetojmë Vitin Shenjt duke e dëshmuar fenë me vepra.








All the contents on this site are copyrighted ©.