2016-04-08 11:56:00

8 prill 2005 funerali Shën Gjon Palit II kremtuar nga kardinali Ratcinger: Një ngjarje e jashtëzakonshme, shenjë e prekshme e fesë në Krishtin


11-vjetori i funeralit të Shën Gjon Palit II në Vatikan. Me 8 prill 2005 funerali Shën Gjon Palit II kremtua nga kardinali Ratcinger: Një ngjarje e jashtëzakonshme, shenjë e prekshme e fesë në Krishtin. Njëmbëdhjetë vjet më parë funerali i Shën Gjon Palit II kremtuar në Vatikan nga kardinali Ratcinger: në sajë të fesë në Krishtin, mbarti një peshë përtej forcave njerëzore.

Si sot, Njëmbëdhjetë vjet më parë, me kremtimin e Meshës së dritës në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, udhëhequr asokohe nga kardinali Jozef Ratcinger, Kisha dhe bota mbarë i dhanë lamtumirën Papës Shën Gjon Palit I. Njëmbëdhjetë vjet më parë, më 8 prill, përcillej nga kjo botë drejt shtëpisë së Atit Qiellor i dashuri Papa  Shën Gjon Pali II.

Sot dëshirojmë, mbi të gjitha, të falënderojmë përsëri Hyjin që na e dha për 27 vjet si atë e prijës të sigurt në fe, si bari të zellshëm e profet të guximshëm të shpresës, si dëshmitar të palodhur e shërbëtor të pasionuar të dashurisë së Hyjit. E njëkohësisht, ta kujtojmë figurën dhe veprën e tij në shërbim të Hyjit Atë e të njeriu vëlla, devocionin e madh me të cilin Papa Wojtila kremtonte Misteret e shenjte dhe adhuronte të Shenjtueshmin Sakrament të altarit, qendër e jetës së tij dhe e misionit të tij të palodhshëm apostolik për të mirën e njerëzimit mbarë.

Pra më 8 prill të vitit 2005, një turmë e jashtëzakonshme njerëzish në Sheshin e Shën Pjetrit, i jepte lamtumirën e fundit Papës Gjon Pali II. Një ngjarje që, edhe në sajë të mediave, mori përmasa planetare e akoma sot, mbetet e skalitur në kujtesën e miliona njerëzve të mbarë botës. 

Atë ditë të paharrueshme, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, era që shfletonte Ungjillin! Turma e besimtarëve që thërriste “Shenjt menjëherë”! Flamujt polakë në zi! Tingëllimi i këmbanave për mort! Purpuri i veshjeve të kardinajve, bashkremtues të meshës! Shtrëngimi i duarve ndërmjet krerëve të Vendeve armike! Imazhe e tinguj të pashlyeshëm të një ngjarjeje, që ishte para së gjithash, dëshmi feje, po edhe vëllazërimi. Për çerek shekulli, Papa Wojtila kishte përshkuar rrugët e botës për të shpallur kudo Lajmin e Mirë e vëllazërimin ndërmjet popujve e kombeve. 

E, mbarë bota ishte mbledhur së bashku në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për ta përqafuar për herë të fundit Papën e ardhur nga larg. Për të falënderuar meshtarin, bariun, njeriu që u përsëriti të gjithëve e secilit pa u lodhur: “Mos kini frikë. Hapjani, madje në dy kanatat, portat Krishtit”. Vetë Gjon Pali II, gjatë jetës së tij, u bë një me Krishtin.

Kështu e kujton kardinali i atëhershëm Jozef Ratcinger, i cili kremtoi funeralin. Gjon Pali II, tha atëherë shoku i rrugës e Papa i mëvonshëm Benedikti XVI, iu përgjigj thirrjes së Krishtit për ta ndjekur. Këtu qëndron sekreti dhe misteri i forcës së tij: “Dashuria e Krishtit qe forca dominuese e Atit tonë të Shenjtë; kush e ka parë të lutet, kush e ka dëgjuar të predikojë, e di. E kështu, falë kësaj rrënjosjeje të thellë në Krishtin mundi të bartë peshën, që shkon përtej forcave njerëzore: të bëhej bari i grigjës së Krishtit, i Kishës së tij universale”.

Fjalët e fundit të homelisë së kardinalit Ratcinger, tejet të mallëngjyera, përshkruajnë fort mirë ndjenjat e popullit të Zotit për Papën Shën Gjon Pali II. Duke i folur drejtpërdrejt Karol Vojtilës, Jozet Ratcinger tha: “Mund të jemi të sigurt se Papa ynë i dashur qëndron tani në dritaren e Shtëpisë së Atit, na sheh e na bekon. Po, na beko, o Atë i Shenjtë. Ia besojmë shpirtin tënd Nënës së Zotit, Nënës tënde, që të udhëhoqi çdo ditë e do të të udhëheqë tani në lavdinë e amshuar të Birit të vet, Zotit tonë Jezu Krisht”.








All the contents on this site are copyrighted ©.