2016-04-07 11:56:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: veprat e mëshirës në traditën e krishterë


Pasi folëm për konceptin e mëshirës në traditën hebraike, vijojmë rubrikën tonë të së enjtes me shpjegimin e veprave të mëshirës në traditën e krishterë.

         “Nga zemra e Trinisë Shenjte, nga intimiteti më i thellë i misterit të Zotit, buron dhe rrjedh pa pushim lumi i madh i mëshirës – shkruan Papa Françesku në Bulën jubilare ‘Misericordiae Vultus’. Ky burim nuk mund të shterrojë kurrë për ata, që shkojnë ta shuajnë etjen në të. Sa herë që ndokush të ketë nevojë, mund t’i afrohet atij, sepse mëshira e Zotit është pa fund” (Misericordiae Vultus, 25).

         Çdo veprim i Zotit e ka zanafillën tek mëshira, burim ngushëllimi dhe shprese për çdo njeri. Hyji e dikon me shumicë në zemrën e njeriut, që ai ta ndjejë se dikush e ndihmon, e shpëton dhe e bën për vete me ëmbëlsinë e dashurisë së tij. Nga brezi në brez, Zoti ua dhuron të gjithë njerëzve dhe mëshira bëhet ura, që e lidh krijesën me Krijuesin. Kur njeriu provon mëshirën e Zotit lidhet me të gjithë njerëzit e tjerë, që kanë provuar të njëjtën gjë, pasi Hyji nuk përjashton askënd. Mëshira është pra, e mirë e përbashkët, që u lejon njerëzve të lidhen shenjtërisht ndërmjet tyre e me Zotin.

         I gjithë Shkrimi Shenjt është i mbarsur me mëshirën e Zotit, që zbulohet në histori, që nga krijimi i botës. Vërtet, para se të krijojë njeriun, Zoti krijon botën, për t’i përgatitur atij një vend ku të jetojë me dinjitet, ashtu si nëna kur është shtatzënë e pret fëmijën e saj, por ndërkohë, i përgatit një ambient mikpritës për çastin kur të dalë në dritë.

         Mëshira identifikohet me mitrën, ku gjithçka merr jetë, falë një akti dashurie pa fund. Mëshira e Zotit, në fakt, nuk ka kufi: “E harron ‑ thua ‑ gruaja foshnjën e vet, që të mos ketë dhimbje për bamin e barkut të vet? Po edhe nëse ndonjëra do të harronte, unë ty kurrë nuk të harroj! Shih, të kam shkruar në duart e mia” (Is 49,15-16). Pengesa e vetme ndërmjet mëshirës hyjnore dhe njeriut është ngurtësimi i zemrës. Por edhe para këtij qëndrimi, Hyji nuk e braktis njeriun. Pret me durim që ai të kthehet: “Nuk e dua vdekjen e të patenzonit, por dua që i patenzoni të kthehet nga rruga e ligë e të jetojë!” (Ez 33,11). Kur njeriu prek fundin, mund ta provojë në mënyrë edhe më intime dhembshurinë hyjnore, nëse e pranon mëkatin. Përvoja e popullit të zgjedhur në çastin e eksodit është thelbësore që njeriu të zbulojë mëshirën e Zotit. Hyji e pa vuajtjen e popullit të vet, të shtypur nga skllavëria në Egjipt, e dëgjoi britmën e tij dhe ia kuptoi mundimet. Zoti u mallëngjye thellë, me gjithë të përbrendshmet, dhe u vu në lëvizje për ta çliruar (shih Dal 3,7). Pas kësaj ngjarjeje, Zoti iu duk solemnisht Moisiut si “Hyji i mëshirshëm e i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë, që qëndron besnik me mijëra brezni” (Dal 34, 6-7).

         Për hir të kësaj zbulese, bijtë e bijat e Izraelit, në mundime, probleme e sëmundje, do të gjejnë gjithnjë forcën për t’iu drejtuar Zotit e për t’iu përgjëruar për ndihmë e falje. Kështu bën Davidi, kur e kupton sa i rëndë ishte faji i vet (shih 2 Sam 12,1-14); kështu edhe Jobi, pasi rebelohet për shkak të mundimeve e vuajtjeve të shumta (shih Job 11,1-20); Hyjit i lutet Ana në heshtje që t’i dhurojë një fëmijë (shih 1 Sam 1,1-28); edhe Esteri, kur sheh se populli i saj kërcënohet (shih Es 4,17ss); njëlloj edhe Judita, me fytyrë përdhe, i lutet për shpëtimin e popullit (shih Jdt 9, 1-14) e kështu edhe shumë të tjerë.

         Duke imituar Zotin, njeriu e ka për detyrë të jetë edhe ai vetë i mëshirshëm, sepse ky është një nga nga urdhërimet e Tënzot: “Unë po të urdhëroj: hapja dorën vëllait tënd të varfër, skamnorit që jeton me ty në vendin tënd” (Lp 15,11). Nga ana tjetër, profetët e ftojnë gjithnjë njeriun të jetë i mëshirshëm dhe “ta ndajë bukën me të uriturin, të strehojë në shtëpinë e vet skamnorët e të pastrehët e kur ta shohë të zhveshurin, ta veshë” (Is 58,7). Librat e Besëlidhjes së Vjetër shtojnë një element të ri, që paralajmëron Ungjillin, duke e identifikuar të varfërin me Zotin: “I huazon Zotit, kush ka mëshirë për skamnorin, e Zoti do ta shpërblejë” (Fu 19,17).








All the contents on this site are copyrighted ©.