2016-04-05 10:30:00

SHBA. Kardinali Dolan: pa përgjegjësi, rregullat për pilulën “një ditë pas”


“Papërgjegjësi”: kështu janë, sipas kardinalit Timothy Dolan, kryeipeshkëv i New Yorkut dhe kryetar i Komitetit për-jetën i Konferencës ipeshkvnore amerikane, vijat e reja udhëheqëse, përcaktuar nga Fda(Food and Drug Administration) për pilulën “një ditë pas” RU-486. Rregullat e reja parashikojnë që pilula, e cila deri tani merrej shtatë javë pas shtatzanisë, të mund të merret dhjetë javë pas; të pakësohet numri i vizitave mjekësore, të cilat zbresin nga tri, në dy dhe të lejohet furnizimi me ilaçin  edhe nga personeli jo mjekësor.

Gjithnjë më në rrezik, jetë të pafajshme

Por, në këtë mënyrë, nënvizon kardinali Dolan, përdorimi jo zyrtar i ilaçit të rrezikshëm abortiv RU-486 bëhet normë, sheshon rrugën për shkatërrimin gjithnjë më të madh të jetëve të pafajshme  dhe i vë gratë e vajzat përballë të gjitha rreziqeve, që shkakton aborti mbi jetët e tyre. Mbrojtësit e abortit - vijon prelati i lartë - po festojnë tashmë për këto vija-udhëheqëse, duke i vlerësuar si hapje të rrugës për ndërprerjen vullnetare të shtatzanisë. Por duke e bërë këtë - thekson kryeipeshkvi i New Yorkut, ata festojnë edhe moskokëçarjen e Fda-së për shëndetin e grave. Shumë prej tyre kanë vdekur për shkak të përdorimit të këtij ilaçi, e shumë të tjera e kanë marrë tetë javë pas shtatzanisë, duke u detyruar, më në fund, t’i nënshtrohen abortit kirurgjik. E tani, këtë dhimbje do ta provojë një numër shumë më i madh grash. Ky, suksesi!?

Ndihma e Kishës

Së fundi kardinali Dolan nënvizon se çdo grua shtatzënë mund t’u drejtohet organizmave katolike, jo për t’u gjykuar, por për t’u mjekuar e për t’u ndihmuar. Karitasi, Qendrat e ndihmës në mbrojtje të jetës e shumë famulli - përfundon kardinali Dolan - janë gati t’i ndihmojnë të gjithë nevojtarët. Në këtë rast, nevojtaret për jetën!”.   








All the contents on this site are copyrighted ©.