2016-04-05 13:52:00

Françesku: të krishterët të jetojnë në harmoni, jo në “qetësi”


Nuk duhet ngatërruar harmonia, fryt i Shpirtit Shenjt, që mbretëron në bashkësinë e krishterë, me “qetësinë” e dalë nga bisedimet, e cila shpesh mbulon me hipokrizi kundërshtitë dhe ndarjet e brendshme. Kështu pohoi Papa Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Një komunitet i bashkuar në Krishtin, nënvizoi Ati i Shenjtë, është i guximshëm.

         Një zemër e vetme, një shpirt i vetëm, asnjë i varfër, pasuri të shpërndara sipas nevojave. Sipas përshkrimit në Veprat e Apostujve, ka vetëm një fjalë, që mund t’i përmbledhë ndjenjat dhe stilin e jetës së bashkësisë së parë të krishterë: harmonia.

Harmonia dhe armiku i saj

         Por duhet të kuptojmë se ç’do të thotë kjo fjalë, tha Papa, sepse nuk është ndonjë marrëveshje e çfarëdoshme, por një dhuratë nga qielli për ata që, siç e provuan të krishterët e orëve të para, rilindin në Shpirtin Shenjt:

         “Ne mund të bëjmë marrëveshje, një lloj paqeje… por harmonia është hir i brendshëm, që mund ta sjellë vetëm Shpirti Shenjt. E këto bashkësi jetonin në harmoni. Shenjat e harmonisë janë dy: askush s’ka nevojë, pra, gjithçka ishte e përbashkët. Në ç’kuptim? Kishin një zemër të vetme, një shpirt të vetëm dhe askush nuk e konsideronte pronë të vetën gjënë që i përkiste, por gjithçka ishte e përbashkët. Vërtet, askush s’ishte nevojtar. ‘Harmonia’ e vërtetë e Shpirtit Shenjt ka marrëdhënie shumë të forta me paranë: paraja është armik i harmonisë, paraja është egoiste. Prandaj, shenja që na jep Zoti është se të gjithë ndanin ç’kishin, që të mos ekzistonin nevojtarë”.

“Qetësia”, vel i brishtë

        Papa u ndal në këtë aspekt e përsëriti shembullin virtuoz, që jepet në Veprat e Apostujve, atë të Barnabës, i cili e shet pronën e vet dhe paratë ua jep apostujve. Por vetëm pak rreshta më vonë, na jepet shembulli negativ i Ananisë dhe i Safirës, të cilët shesin pronën, por nuk ua japin të gjitha paratë apostujve, duke mbajtur diçka për vete. Çmimi, që u duhet të paguajnë për këtë, është tejet i hidhur: vdekja. Zoti dhe paraja janë të papajtueshëm, vërejti Papa Françesku, i cili, pastaj, sqaroi se koncepti i harmonisë nuk duhet ngatërruar me “qetësinë”:

         “Një bashkësi mund të jetë shumë e qetë, të shkojë mirë, por nuk është në harmoni. Dikur, një ipeshkëv më pati thënë një fjalë të urtë: ‘Në dioqezë kemi qetësi. Por, nëse prek këtë apo atë problem, shpërthen lufta’. Kjo do të ishte harmoni bisedimesh, por nuk është ajo e Shpirtit Shenjt. Është harmoni – të themi – hipokrite, si ajo e Ananisë dhe e Safirës”.

Shpirti Shenjt dhe guximi

         Papa e përfundoi homelinë duke i ftuar të gjithë t’i lexojnë sërish Veprat e Apostujve, ku flitet për jetën e bashkësive të para të krishtera, të cilave harmonia e arritur u bën edhe një dhuratë tjetër. E kjo është shenja e dytë për ta njohur atë:

         “Harmonia e Shpirtit Shenjt na jep bujarinë, na bën të japim gjithçka tonën, nëse hasim një nevojtar. Harmonia e Shpirtit Shenjt na nxit për një qëndrim të dytë: ‘Me forcë të madhe, apostujt dëshmonin Ringjalljen e Jezu Krishtit Zot e, të gjithë gëzonin favore të mëdha’, pra, guximin. Kur ka harmoni në Kishë, në bashkësi, ka guxim, guximi për të dëshmuar Zotin e Ringjallur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.