2016-04-05 10:00:00

Françesku: Feja e paaftë për të qenë e mëshirshme, nuk është fe!


Në prag të kremtimit të së Dielës së Mëshirës, nga faqja ungjillore e Meshës, kryesuar nga Papa, në Sheshin e Shën Pjetrit, për Jubileun e besimtarëve të përshpirtërisë së Mëshirës, doli përsëri një figurë shumë e njohur për gjithë të krishterët. Ajo e Apostullit dyshimtar. E Shën Tomës, njeriut që nuk beson lehtë. Apostullit, që nuk do ta njohë Zotin, pa ia prekur plagët. E kur e njeh, përtej identitetit njerëzor,  në identitetin e tij më të thellë, brohoret: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët e Tij tregojnë se na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria për ne. Plagët e Tij mund t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Atij vijojnë t’i hapen plagë për ne. Ç’siguri për mëshirën e tij e ç’ngushëllim na japin! E si na sqarojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi për Të. Se feja jonë, po të mos jetë e mëshirshme, nuk është fe!

Secili nga ne, mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e vënë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët - viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë?
E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë, pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit i cili, në Krishtin, i mori mbi vete të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur. Me një fe të patundur, tejet të aftë për të qenë e mëshirshme. Prej këndej, fe e vërtetë!

Toma mori nga Zoti e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet dhe vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Krishtin e Ngjallur. Kjo fe gati-gati e vdekur rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu. E pikërisht këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare .Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar! Sepse dashuria e Tij  është plot me mëshirë!

Është njëri nga ne, Toma. Që e rigjen fenë vetëm kur prek plagët e Zotit. E një fe që nuk është e aftë të prekë me dorë plagët e Zotit, nuk është fe. Një fe, që nuk di të jetë e mëshirshme, siç janë shenjë mëshire plagët e Zotit, nuk është fe: është ide, ideologji:

“Feja jonë mishërohet në një Zot, që bëhet njeri, që bëhet mëkat, që plagoset për ne. Por nëse ne duam të besojmë seriozisht e të kemi fe të vërtetë, duhet t’i afrohemi Zotit, t’i prekim plagët e Zotit, t’i ledhatojmë plagët e Zotit e pastaj të ulim kokën e t’i lëmë të tjerët t’i ledhatojnë plagët tona”.

E duhet edhe t’i lutemi Shpirtit Shenjt t’u prijë hapave tanë, sepse ai është Dashuri. Është Mëshirë, që komunikon me zemrat tona e na prin  të ecim pa asnjë kundërshtim në shtigjet, që na i tregon Ai vetë! Me një fe të patundur, të aftë për të qenë gjithnjë e mëshirshme!








All the contents on this site are copyrighted ©.