2016-04-04 13:50:00

Mesha e Papës për Lajmërimin e Zojës: i krishteri të jetë njeri që thotë “po”.


 “Ta pyesim veten nëse jemi njerëz që thonë “po”, apo që kthejnë kokën mënjanë, për të mos u përgjigjur. Është një nga fragmentet e homelisë së Meshës, kryesuar sot në mëngjes nga Papa, në Shtëpinë e Shën Martës. E para, pas ndërprerjes për kremtimet e Pashkëve. Duke e marrë shtytjen nga festa e sotme e Lajmërimit të Zojës, Ati i Shenjtë nënvizoi se është pikërisht kjo “po” e Marisë,  që ia hapi portën “po”-së së Jezusit.

Abrahami i bindet Zotit, i gjegjet “po” thirrjes së Tij dhe niset nga toka e vet, pa e ditur fare se ku do ta çonte rruga e nisur. Papa Françesku e përqendroi homelinë mbi zinxhirin e pohimeve, i cili nis pikërisht me Abrahamin. Në atmosferën e festës së sotme, kujtoi humanitetin e thellë të atyre burrave e grave që, edhe pse të shtyrë në moshë, si Abrahami e Moisiu, i thanë “po” shpresës së Zotit. Por, shtoi Ati i Shenjtë, mendojmë edhe për Isainë që, kur Zoti e ftoi të shkonte e t’i thoshte popullit, atë që i duhej thënë, u përgjigj se “i kishte buzët të papastra”, e me buzë të papastra nuk mund të thuhen fjalë të pastra!

Pohimi i Marisë i hap portën pohimit të Jezusit

Zoti, vijoi Papa, ia pastron buzët Isaisë e Profeti thotë “po”. E ashtu edhe Jeremia, që druhej se nuk do të dinte të fliste, por që më pas, duke e mposhtur druajtjen, i thotë “po” Zotit:

“E sot Ungjilli na tregon fundin e këtij zinxhiri me ‘po’, e njëkohësisht, fillimin e një pohimi tjetër, që nis të rritet: Ungjilli na flet për ‘po’-në e Marisë. E kjo ‘po’, bën që Zoti jo vetëm të shikojë si po shkon njeriu, jo vetëm të ecë me popullin e vet, por të bëhet një nga ne e të marrë korpin tonë. ‘Po’-ja e Marisë, i hap portën ‘po’-së së Jezusit: ‘Unë vij të bëj vullnetin tënd’! E kjo është ‘po’-ja që e shoqëron Jezusin gjatë gjithë jetës, deri në Kryq”.

Françesku u përqendrua, pra, tek pohimi i Jezusit, që i kërkon Atit ta largojë prej tij kelkun, por duke shtuar edhe “U bëftë vullneti yt!”. Në Jezusin, prandaj, është ‘po”-ja e Zotit: Ai vetë bëhet “po”.

Në “po”-në e Marisë është pohimi i gjithë historisë së Shëlbimit

Kjo, vijoi Papa, është ditë e bukur për të falënderuar Zotin, që na e mësoi rrugën e pohimit, por edhe për të menduar për jetën tonë. Mendim ky, të cilin Papa ua drejtoi posaçërisht disa meshtarëve të pranishëm, që kremtojnë 50-vjetorin e meshtarisë:

“Të gjithë ne, çdo ditë, duhet të themi ‘po’ ose ‘jo’ e të mendojmë nëse themi gjithnjë ‘po’, apo shpesh fshihemi, me kokë ulur, si Adami e Eva, jo për të mohuar, por për të  bërë sikur nuk e kemi kuptuar mirë ç’kërkohet prej nesh … nuk e kemi kuptuar ç’kërkon nga ne vetë Zoti. Po sot është festa e ‘po’-së . Në ‘po’-në e Marisë është ‘po’-ja e gjithë historisë së Shëlbimit, e atje nis edhe ‘po’-ja e fundme e njeriut dhe e Zotit”.

Ta pyesim veten nëse jemi burra e gra të “po”-së

Atje, shtoi Papa, Zoti rikrijon, ashtu si në zanafillë, kur me një “po”, bëri botën dhe njeriun, këtë Krijim të bukur e tani, me këtë “po” edhe më mrekullisht e rikrijon botën, rikrijon gjithçka. Kjo “po” e Zotit na shenjtëron, na bën të ecim përpara në Jezu Krishtin:

“Është ditë për të falënderuar Zotin e për të pyetur veten nëse jemi njerëz që thonë ‘po’, apo që kthejnë kokën mënjanë, për të mos u përgjigjur? Zoti na dhëntë hirin të hyjmë në rrugën e burrave e të grave, që ditën të thonë ‘po’”.

 Në përfundim të homelisë, motrat vinçenciane, që janë në shërbim të Shtëpisë së Shën Martës, përsëritën kushtet:

“E bëjnë këtë çdo vit - tha Papa - sepse Shën Vinçenci ishte i urtë dhe e  dinte se misioni, që ua besonte atyre, ishte tejet i vështirë, prandaj deshi t’i përsërisnin vit për vit kushtet e jetës së tyre rregulltare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.