2016-04-04 14:05:00

Festa e Mëshirës Hyjnore në dioqezën e Sapës, në fshatin Dragushë


Festa e Mëshirës Hyjnore në dioqezën e Sapës, më 2 prill 2016, në fshatin Dragushë, pranë Kishës që i kushtohet Mëshirës Hyjnore. Më hollësisht të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit nga Vau-Dejës..

KREMTIMI I MËSHIRËS HYJNORE

Në kuadër të kremtimeve të vitit të jashtëzakonshëm Jubilar të Mëshirës, dioqeza e Sapës organizoi kremtimin e festës së Mëshirës Hyjnore me pjesëmarrjen e popullit të Zotit dhe mbarë klerit dioqezan. Për ta jetuar në plotësi mëshirën e Atit Qiellor që na është besuar nëpërmjet Birit që e ka dërguar në mesin tonë, Jezu Krishtit dhe me dëshirën e përzemërt të ipeshkvit të Sapës, ky kremtim i gjithëmbarshëm u mbajt në vigjiljen e kësaj feste datën 2 prill 2016, në fshatin Dragushë, kisha e së cilës i kushtohet Mëshirës Hyjnore.

Kremtimine kryesoi Vikari i Përgjithshëm i dioqezës së Sapës, Dom Simon Kulli, “ku në fillim përcolli urimet e përzemërta të ipeshkvit Imzot Lucjan Avgustini, që për disa angazhime personale nuk ishte i pranishëm. Ndërsa në fjalën e rastit, dom Simoni tha se në këtë vit Jubilar të Mëshirës t’ia besojmë Atit të mëshirës të gjitha njetet dhe qëllimet tona dhe t’i kërkojmë që si Ai edhe ne të jemi të mëshirshëm ndaj të tjerëve. Gjatë porosisë se, si duhet të jetohet Mëshira Hyjnore?; si t’ua rrezatojmë ne Mëshirën Hyjnore të tjerëve? - Vikari Gjeneral solli shembullin e Shën Faustinës, e cila na mëson se ne duhet të tregojmë mëshirë gjithmonë e gjithkund. Edhe ndaj të afërmit, nëse na duket e pamundur që të realizohet, por Zoti na siguron që kjo gjë është e mundur. Jezusi thotë: “kur një shpirt më afrohet me besim, Unë e mbush me hire aq sa ai nuk mund t’i mbajë brenda vetes, por ua rrezaton shpirtrave të tjerë”. Ndaj me vepra, me fjalë dhe me lutjet tona mund t’ua rrezatojmë Mëshirën Hyjnore të tjerëve”








All the contents on this site are copyrighted ©.