Festa e Lajmërimit të Zotit, kremtim i jetës
Sot më 4 prill, Kisha Katolike kremton festën e Lajmërimit të Zotit. Kujtojmë se
sipas një tradite shumë të lashtë, shtëpia e Marisë, ku Engjëlli Gabriel i solli Virgjërës
lajmin e Mishërimit të Zotit, identifikohet me shpellën e cila sot ndodhet në kriptën
e Bazilikës së Lajmërimit në Nazaret. Një pjesë e kësaj shtëpie, gjithnjë sipas traditës
– u mbart mrekullisht nga disa engjëj nga Nazareti në Loreto, në zonën italiane të
Markeve. Shtëpia e Shenjtë – siç quhet - ndodhet edhe sot në Bazilikën e Loretos,
deklaruar nga Gjon Pali II ‘Shenjtërore ndërkombëtare”, cak shtegtimesh për mijëra
besimtarë nga të katër anët e botës.
Festa e Lajmërimit të Zotit është dita kur Kisha kujton lajmërimin dhe pranimin e
planit të Zotit nga Virgjëra Mari. Në shtëpinë e vogël të Nazaretit, nën strehën e
Marisë, në çastin kur Ajo iu përgjigj "po" engjëllit, filloi ngjarja më e madhe që
ka njohur ndonjëherë njerëzimi. Në jetën njerëzore nisi të banojë vetë Zoti. Zoti
u bë njeri. Ç'ngjarje më e madhe mund t'i ndodhte njeriut? Dëshirojmë prandaj, duke
u nisur nga kjo ditë, të rifillojmë këngën e jetës, nga fillimi e deri në mbarim.
T'i themi "Po" jetës, sepse jeta është e bukur, sepse jeta është dhuratë e Zotit,
sepse jeta është një aventurë e mahnitshme, sepse jeta duhet jetuar duke kënduar "Magnificat"
- "Zemra ime madhëron Zotin".
Poeti ynë kombëtar, Atë Gjergj Fishta, i këndon kështu, në poezinë
"Nuncjata", ndikimit që pati kjo ngjarje e madhe mbi gjithë njerëzimin:
T’falna, Mrí ! edhe na po t’ thona,
O Zojë Virgjin hire-plote!
E nder gzime e kobe t’ona,
Qi na i sjellin t’egrat mote,
E kur n’nadje t’zbardhe drita,
E kur n’mbrame t’erret dita:
T’falna, Mri, na t’ thom’ me gzim!
All the contents on this site are copyrighted ©. |