2016-04-03 13:41:00

Thirrja e Papës për paqe në Ukrainë dhe mbledhja e ndihmave për popullsinë


Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi të gjitha popullsitë, që kanë më shumë etje për pajtim e paqe e, në mënyrë të veçantë, bëri thirrje për paqe në Ukrainë.

Në plan të parë vuri dramën e njerëzve, që po vuajnë për shkak të vijimit të dhunës. I kujtoi të gjithë ata, që jetojnë në këto troje të tronditura thellë nga veprimtaritë luftarake, të cilat shkaktuan vdekjen e mijëra njerëzve, pa i harruar edhe ata  – më se një milion vetë - që u detyruan të largohen për shkak të situatës tejet të rëndë, në vijim:

“Kush e pëson më shumë, janë posaçërisht pleqtë e fëmijët. Përveçse janë përherë të pranishëm në mendjen e në lutjen time, e ndjej për detyrë të vë në lëvizje gjithë Kishën për mbledhjen e një ndihme humanitare në favor të tyre”.

Papa njoftoi se në të gjitha Kishat katolike të Evropës, më 24 prill, do të mblidhen lëmoshë të posaçme për këtë qëllim:

“I ftoj besimtarët të marrin pjesë në këtë nismë, me një kontribut bujar. Ky gjest bamirësie, përveç lehtësimit të vuajtjeve materiale, synon të shprehë afërsinë dhe solidaritetin tim personal e edhe atë të mbarë Kishës. Uroj me gjithë zemër që kjo nismë të ndihmojë për vendosjen pa vonesë të paqes  dhe për respektimin e së drejtës, në këtë tokë kaq të vuajtur”.

Françesku kujtoi edhe se nesër do të kremtohet Dita Botërore kundër minave tokësore:

“Shumë njerëz vijojnë të vriten ose të gjymtohen nga këto armë të tmerrshme, nësa burra e gra guximtare vijojnë të rrezikojnë jetën për t’i pastruar terrenet e minuara. Ta përsërisim, ju lutem, zotimin për një botë pa mina!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.