2016-04-03 12:51:00

Papa: të vijojmë ta shkruajmë Ungjillin me veprat e mëshirës


Ungjilli është libri i Mëshirës së Zotit: Papa Françesku i nxit të gjithë ta lexojnë e ta rilexojnë Ungjillin, për ta kuptuar dashurinë e Zotit e për ta jetuar konkretisht, me gjeste të thjeshta e të forta. Kjo, ftesa, që Ati i Shenjtë ua drejtoi besimtarëve të shumtë, mbledhur rreth tij për Meshën e kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në të Dielën e Mëshirës.

“Mëshira nuk është kurrë larg”: Papa Françesku ia kujton këtë njerëzimit,  që shpesh e ndjen veten të plagosur e të trembur, sepse ka mbi trup gjurmët e dhimbjes e të pasigurisë. Duke e siguruar se Mëshira e Zotit është ilaçi që shëron çdo sëmundje. Papa i ftoi të gjithë besimtarët ta  marrin Mëshirën e Atit e ta çojnë në botë. Por, për ta bërë këtë, duhet lexuar e rilexuar Ungjilli, të cilin Ati i Shenjtë e quajti “Libri i Mëshirës së Zotit”, libër gjithnjë i hapur:

“Jo gjithçka është shkruar, e Ungjilli i mëshirës mbetet libër i hapur, ku vijojnë të shkruhen gjestet e dishepujve të Krishtit, gjestet konkrete të dashurisë, dëshmia më e mirë e mëshirës. Jemi të thirrur të bëhemi shkrimtarë të gjallë të Ungjillit”.

Papa Françesku kërkoi gjeste të forta e të thjeshta, nganjëherë të padukshme, për t’ia çuar botës dashurinë dhe ngushëllimin e Zotit. Kujtoi, më pas, se Jezusi, në ditën e Pashkëve, e ndikoi begatisht mëshirën e Atit në zemrat e dishepujve të trembur për vdekje, duke nënvizuar kontrastin e dukshëm, që e ndjen secili nga ne:

“Nga njëra anë, frika e dishepujve, që i mbyllin me kujdes portat e shtëpisë, nga tjetra, misioni me të cilin i ngarkon Jezusi, duke i nisur në botë për të çuar kumtimin e  faljes”.

Mund ta kemi edhe ne në shpirt këtë kontrast - kujtoi Françesku:

“… është luftë shpirtërore ndërmjet mbylljes së zemrës dhe thirrjes së dashurisë për t’i hapur portat e kyçura e për të dalë nga vetvetja”.

Rruga është një e vetme, sqaroi Papa: “Të dalim nga vetvetja për ta dëshmuar forcën shëruese të dashurisë, që na e ka pushtuar shpirtin”.

Mëshira e Zotit është e amshuar; nuk mbaron asnjë herë, nuk shteron, nuk dorëzohet para portave të mbyllura e nuk lodhet kurrë.

Një gjë duhet ta kemi përherë të qartë: në çastet e provës e të ligshtisë, gjejmë gjithnjë mbështetje, të sigurt se Zoti nuk na braktis kurrë. Nuk mund ta kuptojmë këtë dashuri - vijoi Françesku - por mund ta prekim. Prej këndej vjen paqja, që Krishti na lë ditën e Pashkëve:

“Nuk është paqe negociatash, nuk është ndërprerje e ndonjë gjëje, që nuk shkon: është paqja e Tij, paqja që vjen nga Zemra  e të Ngjallurit, paqja që e mundi mëkatin, vdekjen, frikën”.

Është paqja, që nuk ndan, por bashkon – shpjegoi Françesku - paqja që nuk na lë kurrë vetëm, por na bën ta ndjejmë se dikush na pret, dikush na pranon, dikush na do. Eshtë paqja, që e përballon dhimbjen dhe e bën të lulëzojë shpresën.

Së fundi, duke u shkëputur nga teksti zyrtar, Ati i Shenjtë u drejtoi të gjithëve ftesën:

“Duhet të jemi vetë të mëshirshëm, për ta përhapur kudo forcën e Ungjillit e për t’i shkruar ato faqe, që Shën Gjoni Apostull nuk i shkroi”.   








All the contents on this site are copyrighted ©.