2016-04-03 14:53:00

Papa Françesku: Mëshira e Zotit ka shumë fytyra


Mesazhi i Papës Françesku në mbrëmësoren, kryesuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 20 mijë besimtarëve, natën e festës së Mëshirës e në përkujtim të 11 vjetorit të vdekjes së Papës Wojtyla: “Mëshira e Zotit ka shumë fytyra!”.

Potreti i Mëshirës

Sa janë fytyrat e Mëshirës, me të cilat vjen të na takojë Zoti? Janë shumë! E nuk jemi në gjendje t’i përshkuajmë, sepse Mëshira e Zotit është një kreshendo e vijueshme. E fantazia krijuese e Atij, që vjen të na takojë plot dashuri, është gjithnjë e re, nuk mund të mos na mahnisë, të mos na mrekullojë.

Fytyra e Mëshirës është fytyra e dashurisë, që na dhurohet, që na fton vetëm të zgjatim dorën e ta marrim, ta kërkojmë, ta dëshirojmë!

Fytyra e Mëshirës është e pakufishme, ashtu si natyra e Zotit. Prej këndej, e pamundur të përshkruhet në të gjithë shkëlqimin e saj. Një portret i mundshëm është ai i Zotit që, herë si nënë, herë si baba, na merr ngrykë e na shtrëngon fort për zemër. Me një dhembshuri, që bota e sotme duket sikur e ka harruar, nësa ka nevojë për të, më shumë se për bukën e përditshme! 

Fytyra e Zotit të mëshirshëm! Mund ta vërejmë në logon e Jubileut. Është fytyrë e bariut, që mban mbi  shpatulla njerëzimin. Fytyrë e Zotit që puqet me  atë të Adamit aq, sa të duket sikur të dyja fytyrat shkrihen në një të vetme.

Kjo është fytyra e Mëshirës, fytyrë e Zotit, shkrirë me fytyrën e njeriut.

E kur Jezusi na kujton se duhet të jemi të mëshirshëm si Ati, atëherë në fytyrën e Birit pasqyrohet pikërisht fytyra e Mëshirës.

Të shumta, fytyrat e Mëshirës…

Afërsi e dhimshuri, është fytyra e Mëshirës hyjnore; ngushëllim e falje!

Njeriu e shikon fytyrën e Mëshirës, kur ndjen dëshirën të dojë, të shikojë  fytyrën e Jezusit në fytyrën e njeriut më të largët, më të ligshtë, më të vetmuar, më të pështjelluar, më të  poshtëruar….

Fytyra e Mëshirës, fytyrë e Bariut të Mirë!

Mëshira nuk rri kurrë dyarkryq, shkon gjithnjë në kërkim të deles së humbur, e kur e gjen, shpreh një gëzim, që ia ndriçon krejt fytyrën.

Mëshira nuk të lë kurrë të qetë, sepse është dashuri, fytyrën e së cilës mund ta njohim në fytyrat e vëllezërve.

Konkrete, fytyrat e Mëshirës

Fytyrat e Mëshirës do t’i shikonim më mirë se në të gjitha krijimet e artit, nëse i kushtojmë, në çdo dioqezë,  ndonjë vepër konkrete, ndonjë spital, ndonjë shtëpi për pleq, për fëmijë të braktisur, ndonjë shkollë, ndonjë shtëpi për t’i rikthyer në jetë të droguarit… Në këto vepra mund t’i shikojmë, në kreshendo, përsëri e përsëri fytyrat e Mëshirës hyjnore. Që janë shumë! E nuk jemi në gjendje t’i përshkuajmë…








All the contents on this site are copyrighted ©.