2016-04-02 00:00:00

Kardinali Comastri: ju kujtoj Karol Wojtylen, Papën e Mëshirës Hyjnore


Sot më 2 prill u mbushën 11 vjet nga vdekja e Shën Gjon Palit II. Domethënës fakti që sivjet përvjetori ra natën e Festës së Mëshirës Hyjnore, themeluar nga Karol Wojtyla, pikërisht ashtu siç ndodhi edhe kur vdiq, më 2 prill 2005. Për lidhjen e Gjon Palit II me Jubileun e shpallur nga Papa Françesku, intervistuam kardinalin Angelo Comastri, mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit:

Përgjigje: - Dëshiroj të filloj me një episod, që ndodhi pak ditë para nisjes së Gjon Palit II për Qiell. Ishte 30 marsi i vitit 2005, e mërkurë, e fundmja e jetës së tij. Të gjithë e dinin se Papa qe rënduar e, prej këndej, luteshin për të. Aty nga mesdita po më lajmërojnë: “U hap dritarja e apartamentit!”. Natyrisht dola menjëherë nga zyra, vrapova në Sheshin e Shën Pjetrit e, në mesditë, po shoh Papën në dritaren e Engjëllit të Tënzot. Nuk mundi të flasë asnjë fjalë të vetme. Po një shenjë e bëri, duke ua lënë trashëgim atyre që patën fatin ta shikojnë me sytë e vet këtë skenë të papërsërishme: Papa, që e kishte humbur tashmë zërin, çoi dorën e djathtë e bëri një shenjë të madhe kryqi. Ishte testamenti i tij, përshëndetja e fundme, që i bënte Kishës e botës. Më pas e mora vesh ç’kishte ndodhur këtë mëngjes. Sapo qe zgjuar, Gjon Pali II i kishte përshpëritur gati pa zë - sepse prej kohe e kishte humbur zërin – motër Tobianës e don Stanislaut: “Sot është e mërkurë”. Ata nuk i dhanë rëndësi këtyre fjalëve. S’kaloi shumë e ai tha përsëri, me një fije zëri, por plot vendosmëri: “Sot është e mërkurë e unë po çohem!”. Ata u trembën kur e dëgjuan e deshën ta ndalojnë. Po ai vijoi: “Sot është mërkurë e unë do të çohem, sepse njerëzit janë poshtë dritares e unë nuk dua t’i zhgënjej”! Po vdiste vetë e mendonte për të tjerët! E kur vdiq, ishin lutjet e para mbrëmësore të festës së Mëshirës Hyjnore! Papa, që kishte folur aq, madje që e kishte shkrirë gjithë jetën për ta bërë të njohur këtë fytyrë të bukur të Zotit, fytyrën e mëshirshme, u prit në shoqërinë e shenjtorëve pikërisht në festën e Mëshirës Hyjnore, që ai vetë e kishte dashur aq shumë!

Pyetje: - Në ç’mënyrë, sipas jush, e tregoi Gjon Pali II se ishte dëshmitar i Mëshirës Hyjnore?

Përgjigje: - Dëshminë, që dha Gjon Pali për Mëshirën Hyjnore, më pëlqen ta përmbledh me simbolin e dy llambave: të faljes, deri në heroizëm, e të kumtimit të së vërtetës, sepse falja dhe e verteta janë dy llamba, që e marrin dritën nga mëshira! Njeriu modern, që besonte se mund të bëhej mbinjeri, siç ëndërronte Nietzsche, u kujtua rishtas se është një qyqar, që ka gjithnjë nevojë për dorën e mëshirshme të Zotit. Ja pse, sipas gjykimit tim të përvuajtur, është jashtëzakonisht aktual kumtimi i Mëshirës. E Papa Gjon Pali II e kishte kuptuar mirë këtë. E kishte kuptuar edhe Papa Benedikti. E Papa Françesku e bëri slogan të Papnisë së tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.