2016-04-01 11:35:00

Malajzi: vendim historik për të krishterët e vendit islamik


Në Malajzi, zgjoi reagime pozitive ndër të krishterët, vendimi i Gjyqit të Lartë të Shtetit të Sarawak-ut, i cili, javën e kaluar, i quajti jo përfundimtare kthimet në Islam të të miturve nga ana e njërit, ose e të dy prindërve. Gjykata pranoi kështu apelimin e një qytetari, i cili kishte lindur i krishterë, por në moshën 10-vjeçare ishte regjistruar nga prindërit si mysliman. Megjithëse ishte pagëzuar sërish si i krishterë, gjendja civile nuk kishte pranuar ta shlyente përkatësinë myslimane nga dokumentet. Gjykatësi e motivoi vendimin me nenin e 11-të të Kushtetutës, që garanton lirinë fetare.

Vendim historik për një vend mysliman

         Është fjala për një vendim historik në një vend mysliman, ku kthimi në fe të tjera konsiderohet apostazi e ku autoritetet e kanë bërë gjithnjë, gati të pamundur, ndryshimin e fesë, duke e çuar çështjen në gjykatën islamike. Vendimi ndërhyn në një debat të përhershëm për të ashtuquajturat “kthime univoke”, normë, sipas së cilës, fëmijët e çifteve, ku njëri prej bashkëshortëve është mysliman, duhen regjistruar gjithnjë si myslimanë.

Për Shoqatën e Kishave të Serawak-ut, vendimi është i drejtë

         Shoqata e Kishave të Serawak-ut i shprehu mirënjohje Gjykatës së Lartë për vendimin, të cilin e quan “të drejtë e të paanshëm”. Në favor të tij, edhe një organizatë e grave myslimane “Motra në Islam”, themeluar në vitin 1988, për të luftuar kundër diskriminimit dhe shtypjes së grave, në emër të fesë myslimane. Sipas tyre, vendimi është në përkim me parimet e fesë islame, që promovon mëshirën dhe tolerancën.








All the contents on this site are copyrighted ©.