2016-04-01 18:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Pashkëve, in ‘Albis’, kushtuar Mëshirës Hyjnore.


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së Dytë të Pashkëve, të cilën të diele që nga viti 2000 Papa Shën Gjon Pali II ia besoi Mëshirën Hyjnore. Pra këtë arsye, këtë të Diele Kisha katolike kremton festën e Mëshirës Hyjnore. Në këtë të diele na shoqëron e udhëheq Gjoni ungjilltar, ndoshta sepse duke jetuar më shumë se apostujt tjerë, ka qenë dëshmitar se si dalëngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme e të vazhdueshme është përhapur në botë feja në Krishtin e Ngjallur Zot.

Kështu pra, në të dielën e dytë të Pashkëve, liturgjia dëshiron të na ndihmojë ta thellojmë misterin e Ngjalljes së Jezu Krishtin, ngjarjen qendrore, vendimtare, të fesë sonë të krishterë. Të dielën e kaluar, liturgjia na paraqiti këtë ngjarje në vete, ndërsa këtë herë synon të na ndihmojë ta kuptojmë se çfarë është NGJALLJA e KRISHTIT e si mund të nxjerrim fryte prej saj për jetën e përditshme.

Tekstet biblike që liturgjia na i propozon këtë të diele, janë të përshkuara e të mbushura me mahnitje, mrekullim dhe na thërrasin të gëzohemi. Me pak fjalë, leximet biblike të kësaj së diele vënë në pak temën e fesë, temën e besimit në Krishtin e Gjallë. Kështu, pas zbulimit të varrit të zbrazët nga Pjetri e Gjoni Apostuj, liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, na kujton shfaqjet e Krishtit të Ngjallur. Është radha e Tomës mosbesues. Qëllimi i Gjonit ungjilltar (Gjn 20,19-31) është të nxit besimin në Jezusin, duke e njohur si Krisht e Bir të Hyjit. Pra, në fragmentin ungjillor, kemi rrëfimin mbi takimin e Tomës apostull me Krishtin e Ngjallur, i cili i lejon Apostullit t’ia prekë plagët, e kështu ai e njeh – e njeh përtej identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e Tij më të thellë: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28).

Zoti i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët e Tij tregojnë se Ai na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria që ka për ne. Plagët e Tij – ne mund t’i prekim në historinë e kohës sonë - sepse Jezusit vijojnë t’i hapen plagë për ne. Ç’siguri për mëshirën e tij e ç’ngushëllim na japin! E si na sqarojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi për Të, në dashuri e me dashuri.

Mosbesimi i Tomës, për çka flet pjesa e Ungjillit të kësaj se diele, na ndihmon të zbulojmë fytyrën e vërtetë të Krishtit, dhe inkurajon të gjithë njerëzit, që e kërkojnë me zemër të pastër, të takohen me Jezusin, Hyjin e vërtetë e Njeriun e vërtetë, pavarësisht nga dyshimet e pasiguritë. Krishti i Ngjallur është shpresë për një ardhmëri më të mirë! Të bashkuar me Të, bëhemi apostuj të paqes e lajmëtarë të një gëzimi që nuk ka frikë nga dhimbja.

Fjalët e shën Tomës, besojma e tij e fesë në Krishtin e Ngjallur: “Zotëria im e Hyji im!”, na kujton takimin e Krishtit të Ngjallur me Apostujt, nënvizon etjen e tyre plot mosbesim, për të qenë të sigurt. Ky takim nuk ishte ëndërr, as shpresë e kotë e as përfytyrim subjektiv; ishte i vërtetë, edhe pse i papritur e pikërisht për këtë, edhe më prekës.

Pas këtyre fjalëve, feja gati e shuar në shpirtrat e tyre, u ndez përsëri. Apostujt ia treguan këtë Tomës, që nuk ishte i pranishëm në atë çast të jashtëzakonshëm me të Ngjallurin. Edhe njerëzimi i sotëm pret nga të krishterët një dëshmi të re të Ngjalljes së Krishtit; ka nevojë ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të vërtetë. Në se përmes këtij Apostulli mund t’i davaritim dyshimet dhe paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin që Vdiq e u Ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Zoti i Ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të Tij të amshuar shëlbues.

Secili nga ne mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e venë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë? E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit i cili, në Krishtin, ngarkoi mbi vete të gjitha varret e njerëzimit të plagosur.

Toma mori nga Zoti Jezu Krishti e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet e vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të ngjallur. Kjo fe gati-gati e vdekur rilindi, falë prekjes së plagëve të Krishtit, plagë të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu. E pikërisht këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare. Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar!

Sa plagë e sa dhimbje në botë: të mendojmë për shuplakën e urisë, të sëmundjeve të pashërueshme, për terrorizmin, për rrëmbimet e njerëzve, për mijëra fytyra të dhunës – nganjëherë të përligjura në emër të fesë - për përbuzjen e jetës, shkeljen e të drejtave njerëzore e për shfrytëzimin e njeriut.
Nuk mund të mos i kujtojmë edhe fatkeqësitë e tragjeditë njerëzore tronditin Vendet e ndryshme të botës, por në Krishtin e Gjallë e kemi shpresën, më dritën e Ngjalljes së Tij shndriten synimet dhe e ardhmja jonë plot besim e shpresë.

Të dashur vëllezër e motra, përmes plagëve të Krishtit të Ngjallur mund t’i shikojmë me sytë e shpresës  të këqijat që e mundojnë njerëzimin. Duke u Ngjallur, Krishti Zot nuk e zhduku të keqen, as vuajtjen nga bota, por fitoi mbi ta në rrënjë me begatinë e Hirit të tij. Prepotencës të së keqes iu kundërvu me gjithëpushtetin e dashurisë. Na tregoi se në rrugën e paqes e të gëzimit mund të ecet vetëm me Dashurinë që nuk ka frikë nga vdekja.

         Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Vap 5, 12 – 16)
Lexim prej Veprave të Apostujve
Shumë shenja e mrekulli bëheshin prej apostujve në popull. Të gjithë besimtarët si me marrëveshje e kishin zakon të bashkohen në Tremen e Salomonit. Prej të tjerëve askush s’kishte guxim të bashkohet me ta, porse megjithatë populli u jepte nderim.
Dhe kështu, gjithnjë shtohej numri i burrave e i grave që besonin në Zotërinë, kështu që i nxirrnin në tregje të sëmurët dhe i vinin në vigje e në shtroja në mënyrë që, duke kaluar Pjetri aty pari, së paku hija e tij t’i binte ndonjërit prej tyre. Po edhe një turmë e madhe njerëzish ngarendte nga qytetet përreth Jerusalemit: sillnin të sëmurë e nga ata që i kishin pushtuar shpirtrat e ndytë dhe të gjithë shëroheshin. Fjala e Zotit.

Psalmi 118 (117)
Allelluia, Allelluia, Allelluia.

-----
Le të thotë tashti Izraeli, sepse është i mirë,
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tani shtëpia e Aronit,
e amshuar është dashuria e tij!
-----
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,
erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:
të galdojmë e të gëzojmë në të!
-----
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd,
deh, o Zot, jepe të mbarën!
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
Hyji është Zot, ai na ndriçoi:
-----


Leximi i dytë (Zb 1, 9-11a. 12-13. 17-19)

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull
Unë Gjoni, vëllai juaj dhe bashkë me ju pjesëtar në vuajtje, në mbretëri dhe në qëndresë në Jezusin: isha për shkak të fjalës së Hyjit dhe të dëshmisë së Jezusit në ishullin që quhet Patmos. Një ditë të Diel pata vegim prej Shpirtit Shenjt dhe pas meje dëgjova një zë të madh, porsi zë trumbete, që më thoshte: »Çka po sheh, shkruaj në libër dhe dërgojua shtatë kishave.
U solla ta shoh zërin që po fliste me mua; si u ktheva, pashë shtatë shandanë të artë dhe në mes të shandanëve dikë si Birin e njeriut, të veshur me petk të gjatë dhe të ngjeshur me brez ari rreth parzmës.
Kur e pashë, rashë para këmbëve të tij porsi i vdekur. Ai vuri mbi mua të djathtën e vet e tha: »Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Fundit, i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës!
Shkruaj, pra, çka pe: çka është dhe çka do të ndodhë më vonë! Fjala e Zotit.

Ungjilli (Gjn 20, 19-31) Pas tetë ditëve, erdhi Jezusi.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në mbrëmjen e po asaj dite - të parën ditë të javës - ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Pastaj u tha prapë:
“Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.”
Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”
Porse Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve - ai që quhet Binjak - nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit e tjerë: “E pamë Zotërinë!”
Toma u përgjigj: “Pa e parë në duart e tij vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.”
Pas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Pastaj i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu dhe ja, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”
Toma iu përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!”
Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!”
Jezusi bëri ndër sy të nxënësve [të vet] edhe shumë mrekulli të tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij. Fjala e Zotit.
 

E këtu ju propozojmë programin tonë kushtuar Liturgjisë se Fjalës së Zotit të dielës së dytë të Pashkëve.... 








All the contents on this site are copyrighted ©.