2016-04-01 16:56:00

Egjipt: manual për mbrojtjen e Kishave në Islam


Të qarkullojë mesazhi i paqes, i bashkëjetesës dhe i respektit ndërmjet Islamit dhe feve të tjera. Këtë propozon Këshilli i lartë për çështjet islamike, organizëm qeveritar egjiptian, përmes botimit të një libri-manual me temë “Mbrojtja e Kishave në Islam”. Njoftimin e jep agjencia e shtypit Fides, që citon lajmin zyrtar, dhënë më 30 marsin e kaluar nga ana e ministrit egjiptian për pajisjet fetare, Mohamed Mokhtar. Kreu i dikasterit saktësoi se dokumenti do të shtypet brenda muajit.

Synimi i nismës

Nisma lindi nga nevoja për të dokumetuar se mesazhi i Kuranit përcjell në gjirin e bashkësisë islamike ftesën për bashkëjetesë dhe respekt ndërmjet feve të ndryshme në vend. Libri ndjek gjurmët e një projekti tjetër editorial, organizuar nga qeveria: një manual–enciklopedi, që synon t’i japë fund të gjitha bindjeve të rreme, që qarkullojnë lidhur me Islamin. Është mjet i nevojshëm, për të luftuar terrorizmin, siç deklaroi ministri gjatë paraqitjes, duke dhënë edhe njoftimin për botimin e dokumentit të tolerancës mbi kishat.

Në 2014-tën u rrënuan shumë kisha e shkolla të krishtera

Në gusht të vitit 2014, reagimi i disa grupeve fundamentaliste islamike ndaj shtypjes, që ushtroi mbi ta ushtria e rregullt, çoi në rrënimin e shumë kishave dhe shkollave të krishtera në të gjithë territorin egjiptian. U bënë shkrumb e hi më se dyzet vende kulti, para se të sulmoheshin e të grabiteshin nga rebelët. Kohët e fundit, një gjykatë administrative mori vendimin, sipas të cilit kishat, si vende të shenjta, nuk mund e nuk duhen rrënuar. Ky vendim ishte përgjigjja, që iu dha kërkesës së bërë nga pronari  i një kishe, shitur nga patriarkana greko-ortodokse, për ta shembur ndërtesën e për të ndërtuar një tjetër, mbi themelet e saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.