2016-03-31 14:17:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: “rahamim” dhe “hesed”


Në emisionin e sotëm do të vijojmë të shqyrtojmë, në veçanti, dy fjalë hebraike që e përfaqësojnë më mirë konceptin e mëshirës e do të mundohemi të kuptojmë pse lëmosha e mëshira janë dy gjëra të ndryshme, të dyja të dobishme, por mëshira qëndron më lart.

Ndër fjalët hebraike, që na bëjnë ta kuptojmë më mirë konceptin e mëshirës ndër hebrenj, janë “rahamim” dhe “hesed”. Fjala e parë do të thotë “të përbrendshme” dhe është shumësi i “rechem”, që do të thotë mitër: ashtu si nëna, që ka ndjenja dashurie ekskluzive për krijesën, që mban në shtat, ashtu edhe ai, që e praktikon mëshirën bën të rrjedhë nga thellësitë e vetvetes, ëmbëlsi dhe mirësi për tjetrin. Predispozicioni femëror ndaj amësisë përmban në vetvete mundësinë për të krijuar një hapësirë, ku strehohet e gjen dashuri krijesa tjetër, prandaj “rahamim” është ndjenjë, që zgjon mikpritje dhe gatishmëri për ndihmë. Kjo ndjenjë është kaq e thellë sa bashkon dy qenie njerëzore me një lidhje ëmbëlsie e mirësie.

Termi i dytë, “hesed”, që do të thotë mirësi e dashuri për të afërmin, nuk është fryt i ndonjë ndjenje spontane, por është qëndrim i vetëdijshëm në përgjigje të një detyre të brendshme. Përveç kësaj, ky term shpreh edhe marrëdhëniet e ndërsjellta të njeriut me Zotin, që përmes imitimit, shndërrohen në marrëdhënie të njeriut me njeriun, bazuar mbi bashkimin e besnikërinë.

Rabini Yisrael Meir, në një shkrim, pohon se gjithësia është krijuar në mënyrë të tillë, që veprat e kryera në këtë botë të kenë ndikim mbi botët e epërme, të cilat, nga ana e tyre, sjellin pasoja në këtë botë. Prandaj, kur një hebre përpiqet të kryejë një vepër të mirë, pavarësisht nëse ia arrin kësaj, zgjon mëshirë në botën e epërme e falë kësaj, nga lart dikohet mirësi mbi popullin hebraik. Për këtë arsye, nuk mund të thuhet kurrë se një person është përpjekur të bëjë mirë, por pa ia arritur, sepse edhe thjesht përpjekja ka sjellë të mira, pasi ka zgjuar mëshirën në botët e epërme.

Vërtet, në fillim të Parashahut (seksion i librit biblik) të Vayerà lexojmë se Abrahami u lodh së përgatituri ushqim për engjëjt, megjithëse ata as që e prekën, sepse nuk kanë nevojë të hanë. Pa e ditur se udhëtarët ishin engjëj, Abrahami u shpërblye pikërisht në sajë të kësaj përpjekjeje, në sajë të dëshirës për t’i mirëpritur me lloj-lloj ushqimesh. Në pjesën e marrë nga Bava Mètzia (kap 7) shkruhet se falë kësaj merite, Zoti dërgoi manën për 40 vjet me radhë, që populli i Tij të mos vdiste urie. Ky qe shpërblim jashtëzakonisht i madh: shumë njerëz hëngrën dy herë në ditë manën, që zbriste mrekullisht prej qiellit. Prej këndej, kuptohet se ajo që ka rëndësi për Zotin, është përpjekja për të bërë mirë, ndjeti i shoqëruar nga vullneti i mirë, pavarësisht nëse ia arrin apo jo.

Kryerja e veprave të mira, duke kërkuar edhe rastin për ta bërë këtë, favorizon shlyerjen e mëkateve dhe lehtëson kthimin tek i vetmi Atë, që është në qiell.

Sipas Talmudit (tekst i shenjtë i hebrenjve, pas Biblës), bamirësia ka dy aspekte, që përfaqësohen nga lëmosha dhe nga veprat e mira. Aspekti i dytë qëndron më lart se i pari, si nga pikpamja etike, ashtu edhe nga ajo praktike, për tri arsye: “Lëmosha bëhet vetëm me para, veprat e mëshirës, me para dhe me gjithë vetveten; lëmosha i bëhet vetëm të varfërit, veprat e mëshirës u bëhen si të varfërve, ashtu edhe të pasurve; lëmosha u bëhet vetëm të gjallëve, veprat e mëshirës kanë të bëjnë si me të gjallët, ashtu edhe me të vdekurit” (Talmudi Babilonez III, Sukkah 49b).








All the contents on this site are copyrighted ©.