2016-03-31 14:54:00

Papa takohet me një fëmijë të sëmurë. Prindërit inkurajohen


Papa Françesku priti dje, në audiencë private, në Shtëpinë e Shën Martës, vogëlushin Ignazio Fucci së bashku me familjen. Fëmija 8-vjeçar vuan nga një sëmundje e rrallë, rastet e së cilës arrijnë në 40, në të gjithë botën. Ignazio është fëmija i parë në Itali, që i është nënshtruar transplantimit të palcës kurrizore, dhuruar nga e ëma. Që nga tetori i vitit 2014, së bashku me prindërit, ndodhet në Shtëpinë Bernardetë, strukturë e “Projektit Fëmijët” të Unitalsi-t, ku qëndrojnë falas familjet me fëmijë të shtruar në spitalin “Bambin Gesù” (Krishti Fëmijë). Kujtojmë se me siglën Unitalsi njihet Bashkimi Kombëtar Italian për Transportin e të Sëmurëve në Lurdë dhe në Shenjtëroret Ndërkombëtare. Pikërisht presidenti i tij për Romën, Emanuele Trancalini, përgjegjës kombëtar i Projektit Fëmijët, ishte dje i pranishëm në audiencë. Atij ia drejtuam mikrofonin tonë:

         Ishte çast vërtet shumë mallëngjyes. Është fjala për një familje, që vuan prej vitesh e në një moment të caktuar, mendoi edhe se fëmija nuk kishte më jetë, ndërsa tani, u gjend përpara Atit të Shenjtë, i cili i dëgjoi me vëmendje. Qe vërtet çast mallëngjyes e plot dhembshuri. Papa ishte i emocionuar. Familja i tha: “Papa Françesku, ne kemi qenë shumë të zemëruar me Zotin për gjendjen e krijuar”. Ati i Shenjtë u përpoq t’i qetësonte, sepse familja e ndjente veten fajtore për këtë. Ai u tha ta shndërrojnë gjithçka u ndodh në lutje e t’i kërkojnë Zotit forcën e guximin për ta përballuar gjendjen. Fakti që Papa i dëgjoi e u mallëngjye me ta qe inkurajim i madh për familjen. Tani, prindërit strehohen në Shtëpinë Bernardetë, por fatkeqësisht, ne kemi lista të gjata me njerëz që presin. Duhet të ngrihen edhe struktura të tjera, sepse ka shumë nevojë për to. Ne e filluam këtë projekt kur pamë njerëz e familje të flinin në makinë, jashtë spitalit. Kjo nuk është njerëzore. Një i krishterë s’mund të rrijë indiferent. Nuk mund t’i lemë vetëm këto familje.








All the contents on this site are copyrighted ©.