2016-03-30 11:37:00

Papa: Zoti i fshin mëkatet rrënjësisht, jo si njollat në dyqanin për pastrimin e rrobave


“Zoti është më i madh se mëkati ynë”. Papa Françesku e kujtoi këtë gjatë katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme në sheshin e shën Pjetrit në Vatikan, kushtuar mëshirës në Besëlidhjen e vjetër. Papa i ftoi besimtarët ta përsërisin  disa herë me zë të lartë e nënvizoi se “falja e Zotit është bindja se Ai nuk na braktis kurrë, me të gjitha fajet e qortimet që mund t’ia bëjmë vetvetes. Falja hyjnore – shpjegoi Ati i Shenjtë Bergoglio – është jashtëzakonisht më e madhe, më efikase, sepse nuk e fsheh mëkatin por e asgjëson, e shlyen në rrënjë, në tërësi: jo siç bëhet në dyqanin për pastrimin dhe hekurosjen e rrobave, kur i  shlyejnë njollat prej rrobave tona...”.

“Me faljen e Zotit, shpjegoi Papa, mëkatari “bëhet i pastër, çdo njollë eliminohet, e ai është më i bardhë se bora; të gjithë ne jemi mëkatarë, është e vërtetë apo jo?  Të falesh prej Zotit do të thotë të na krijojë bindjen se Ai nuk na braktisë kurrë, siç pohon psalmi 51, ku psalmisti i lutet Hyjit duke kërkuar faljen, rrëfen fajin e vet, por duke e pranuar kremton drejtësinë e shenjtërinë e Zotit e pastaj kërkon hirin e mëshirën hyjnore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.