2016-03-30 12:54:00

Ipeshkvijtë e Argjentinës kundër korrupsionit e mosdënimit


Korrupsion! Një nga fjalët që përsëriten më shpesh e që e trondisin rëndë jetën e shoqërisë, ku jetojmë. Me këtë plagë merren ipeshkvijtë e Argjentinës, në mesazhin e tyre të Pashkëve, pa harruar rrugët në të cilat duhet ecur për ta shëruar. Kujtojnë edhe pasojat e korrupsionit: varfërinë, trafikun e drogës, lojën e bixhozit. E, sidomos, vënë theksin mbi domosdoshmërinë e dënimit të njerëzve të korruptuar. Mosdënimi i tyre është plagë përmbi plagë për shoqërinë, me pasoja të rënda në varfërimin e mëtejshëm të shtresave të ligshta të popullsisë dhe tronditjen e vlerave morale të kombit.  “Kur të korruptuarit nuk marrin dënimin e merituar, duke u bërë, kështu, shembull edhe për të tjerët, indi i shoqërisë dobësohet e vetë shoqëria pëson tronditje të rënda”. Kështu shprehet  kryeipeshkvi i Santa Fe dhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Argjentinës, imzot Jose Arancedo, duke i nxitur të gjithë, posaçërisht autoritetet vendase, të impenjohen për t’i dhënë fund krizës së thellë morale në Argjentinë. Me theksimin se ku ka korrupsion, nuk mund të mos ketë varfëri e krizë, morale dhe ekonomike.

Etja për pushtet rrënon paqen shoqërore

Edhe grupi i dymbëdhjetë ipeshkvijve të Patagonisë argjentinase – sipas agjencisë Sir - kërkon të mos ndërpritet për asnjë çast lufta kundër korrupsionit e pandershmërisë, duke denoncuar urinë për para e etjen për pushtet, që çojnë në përjashtimin e një mori njerëzish nga radhët e shoqërisë dhe thellojnë hendekun ndërmjet një grushti të pasurish e masës të të varfërve, gjë që mund të çojë në përmbysje shoqërore, me pasoja të rënda për gjithë vendin. Korrupsioni i padënuar dhe etja për pushtet, theksojnë ipeshkvijtë në mesazhet e tyre të Pashkëve, rrënojnë paqen  shoqërore. E masat ekonomike, që i lënë të varfërit të pambrojtur, duhen dënuar nga të gjithë.








All the contents on this site are copyrighted ©.