2016-03-28 18:16:00

Pashkët në Tokën Shenjte. Juthouruna Forum: shtegtarët të mos na braktisin


Pashkë feje e shprese, pavarësisht nga vështirësitë. Kështu e jetojnë solemnitetin e Ngjalljes së Krishtit, të krishterët e Tokës Shenjte, në një periudhë të ngarkuar me dhunë e kundërshtime të reja në zonën e Lindjes së Mesme. Ftuam, në mikrofonin tonë, doktor Charlie Abou Saada, drejtor i qendrës rinore Juthouruna Forum, me telefon, nga Betlehemi:

Përgjigje: - Ky është vendi i mrekullisë, vendi i mishërimit. Këtu, në Betlehem, jemi shumë pranë Jeruzalemit, që është vend i shëlbimit tonë. Prej këndej, i kremtuam Pashkët me besnikëri të madhe, me gëzim të madh, pavarësisht nga të gjitha problemet. Së bashku me grupin tonë rinor e me besimtarët e famullisë, u munduam t’u japim pakëz shpresë njerëzve e, posaçërisht, të rinjve që, pavarësisht nga vështirësitë, duan të qëndrojnë këtu e të vijojnë ta dëshmojë fenë në këto toka, ku shkeli këmba e Krishtit, nga fëmijëria, në kryq e në ngjallje. Pa marrë parasysh dhunën e përditshme e krismat, që nuk pushojnë nga agu, në muzg. Të panumërta e të hidhura ngjarjet që ndodhin herë në Hebron, herë në Jeruzalem e herë në vise të tjera, emrat e të cilëve i njihni nga Bibla. Por ne përpiqemi të mbetemi gjithnjë besnikë të kësaj toke, besnikë të Krishtit e të Kishës së tij.

Pyetje: - Para kremtimit të Pashkëve nga Toka Shenjte iu drejtuan shumë thirrje shtegtarëve….

Përgjigje: - Duam t’i shikojmë të krishterët e mbarë botës duke ardhur këtu, për të na dhënë një dorë. Kisha jonë vuan e ka nevojë për katolikët e mbarë botës. Ka nevojë që të gjithë të kujtohen se në Betlehem  pothuajse 40% e popullsisë jeton falë shtegtimeve e shtegtarëve. E kam fjalën për hotelet, dyqanet, prijësit, restorantet, këndet e sendeve artistike. Po të ketë shtegtarë, betlemitët do të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet. Ejani, prandaj! Sepse shpesh ndjehemi tepër vetëm!

Pyetje: - Edhe në këto Pashkë, të krishterët e dëshmojnë dashurinë për Zotin e përpjekjen për të qenë urë, edhe për njerëzit, që i kundërvihen njëri-tjetrit…

Përgjigje: - Gjatë gjithë historisë, ne, të krishterët lindorë, kemi qenë urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit, ndërmjet Kishave lindore e atyre perëndimore, ndërmjet myslimanëve e hebrenjve. Dëshiroj të them se këtë vit, por edhe në vitet e tjera, për shkak të gjithë kësaj, që po ndodh në Lindjen  e Mesme, po jetojmë çaste të vështira. Po lutemi shumë e, sidomos, po i ftojmë të rinjtë tanë të mos kenë frikë, të ecin përpara gjithnjë në fenë e Jezu Krishtit, në fenë e Pashkëve të ngjalljes. U them gjithnjë: “Ne e quajmë Kishën e Varrit Shenjt, Kishë e Ringjalljes, prandaj nuk duhet pasur frikë, duhet shkuar përpara, me guximin e të Kryqëzuarit të ngjallur!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.