2016-03-26 15:11:00

Sonte, Nata pa gjumë e Pashkëve, kryesuar nga Papa Françesku


Është nata e heshtjes dhe e lutjes së Kishës, deri në orët e vona të së Shtunes së Madhe.  Dita e Zotit në varr. Dita e heshtjes së Zotit. E Papa na e kujton kështu këtë heshtje:

“Zoti hesht, por për dashuri. Në këtë ditë dashuria e heshtur bëhet pritje e jetës në ringjallje. Ta mendojmë thellë të Shtunën  e Madhe! Do të na bëjë mirë ta meditojmë heshtjen e Zojës së Bekuar, ‘besimtares’, në pritje të Ngjalljes. Zoja duhet të jetë për ne, ikona e kësaj së Shtune të Madhe. Ta mendojmë si e jetoi Nëna e shenjtë këtë të Shtunë, në pritje. Me dashuri, që nuk di të dyshojë, por që shpreson në fjalën e Zotit. Shpreson e pret të bëhet dita e ndritshme e Pashkëve”.

Në këtë Natë të madhe, Jezusi i thotë secilit nga ne: “Nëse do të mund të vuaja më shumë për ty, do ta bëja”.

Nata e heshtjes! Heshtje, që thyhet nga lajmi i madh i ngjalljes e mbushet me dritën e agimit të Pashkëve. Me tingujt e himnit të Ngjalljes! E kështu ndodh sonte në të gjitha kishat e botës. Në Shën Pjetër, Mesha e natës, e kryesuar nga Françesku, do të fillojë në orën 20.30, e paraprirë nga riti i bekimit të zjarrit, në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, stolisur me një pranverë të vërtetë lulesh, ardhur nga Holanda.

Nesër, pastaj, në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku do të kryesojë Meshën e ditës, në orën 10.00 e, pas saj,  në orën 12.00, mesazhi “Urbi et Orbi”, drejtuar Romës dhe Botës si dhe Bekimi Apostolik.

Kujtojmë se kremtimet do të ndiqen nga disa mjete komunikimi e më i rëndësishmi, Mondovizioni. Mund të jeni të pranishëm, nga të katër anët e botës! Edhe përmes transmetimeve të Programit Shqip pranë Radio Vatikanit si dhe fejsbukut tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.