2016-03-25 16:19:00

E Premtja e Madhe. Françesku kremton Mundimet e Krishtit dhe Udhën e Kryqit


Sot Kisha përkujton e rijeton gjatë gjithë ditës, të Premten e Madhe, orët e flijimit ë Krishtit. Dy, si zakonisht, takimet e kryesuara nga Papa. Në orën 17.00 Françesku do të jetë në Bazilikën e Shën Pjetrit për kremtimin e Mundimeve të Krishtit, me reflektimin e atit kapuçin Raniero Cantalamessa. Pastaj, në orën 21.15, përballë harqeve të Koloseumit, për ritin e Udhës së Kryqit, që do të transmetohet drejtpërdrejt përmes mondovizionit, me meditimet e kardinalit Gualtiero Bassetti, kryeipeshkëv i Peruxhës. 

Papa Françesku u jep sot Ndjesën e plotë, në formën e caktuar nga Kisha, të gjithë besimtarëve të pranishëm në Udhën e Kryqit në Koloseum, si edhe të gjithë atyre, që do ta marrin bekimin e tij përmes radios, televizionit dhe teknologjive të reja të komunikimit.

Çmim i pallogaritshëm

I Drejti - përballë xhelatit! Nis kështu historia, që rrëfehet sonte në Udhën e Kryqit. Jezusi - përballë Barabës e, ndërmjet tyre, Pilati, njeriu që ndoshta arrin deri në prag të së vërtetës, por pa e kapërcyer këtë prag, sepse i duhet të zgjedhë ndërmjet jetës e së vërtetës. E ai zgjedh jetën e vet; e ndërmjet së sotmes e së amshuarës, zgjedh të sotmen, siç shkruan kardinali Bassetti në meditimet e tij për  Udhën e Kryqit që, sipas traditës, do të kremtohet edhe sivjet në Koloseum.

 Çmim i pallogaritshëm

Është historia e çdo të Premteje të Madhe, e çdo Udhe Kryqi që shtillet nga guri në gurë, për 14 herë, duke u ndalur për t’u lutur e për të menduar për çmimin e pallogaritshëm, që pagoi Biri i Zotit që t'i shpengonte bijtë e njeriut, siç pati thënë vitin e kaluar Papa Françesku, në përfundim të ritit të Udhës së Kryqit, në Koloseum:

“Në Ty, të tradhtuar e të kryqëzuar nga njerëzit e tu të dashur, ne shikojmë tradhtitë tona të përditshme e pabesitë tona të zakonshme. Në fytyrën tënde të shplakuar, të pështyrë e të shpërfytyruar, shikojmë gjithë brutalitetin e mëkateve tona. Në korpin tënd të shpulpuar, të copëtuar e të  gjakosur,  shikojmë trupat e vëllezërve tanë të braktisur përgjatë rrugëve, të shpërfytyruar nga moskokëçarja e nga indiferenca jonë” (Papa Françesku, Udha e Kryqit në Koloseum - 3 prill 2015).

Të besojmë gjithnjë në ndjesën e Zotit

Bëri shumë zhurmë vjet shprehja “heshtje bashkëfajtore”, që përdori Papa, duke kujtuar perden, pas së cilës vijon vazhdimisht persekutimi kundër të krishterëve, nësa gjithnjë më shpesh nuk luhet as një gisht për t’i mbrojtur. Prej këndej, e tërë liturgjia, gjatë këtyre orëve tragjike, përshkohet nga fjalë, që i kundërvihen plogështisë dhe kompromiseve, të cilat nuk mungojnë edhe në jetën e fesë .

Por e gjithë kjo udhë e këto minuta mundimi, deri në frymën e fundit, mbi kryq, janë edhe histori dashurie. Dashuri e pashembullt, e fituar me çmimin e gjakut. T’i lutemi, prandaj, Krishtit në kryq, me fjalët e Françeskut:

“Na mëso se e Premtja e Madhe është udha drejt Pashkëve të dritës; na mëso se Zoti nuk e harron kurrë asnjë nga bijtë e Tij e nuk lodhet kurrë duke na falur e duke na përqafuar me mëshirën e Tij të pafundme. Por na mëso edhe të mos lodhemi kurrë duke kërkuar falje e duke besuar në mëshirën pa kufij të Atit” (Papa Françesku, Udha e Kryqit në Koloseum, 3 prill 2015).








All the contents on this site are copyrighted ©.