2016-03-24 16:40:00

Udha e Kryqit të Krishtit - Udhë feje


Udha e Kryqit - Udhë feje

Në Jezusin e dënuar me vdekje,
do të njohim gjyqtarin universal;
në Të, ngarkuar me Kryq, Shëlbuesin e botës;
në Të të kryqëzuar, Zotërinë e historisë,
Birin e vetë Zotit.
Natë e së Premtes së Shenjtë,
natë e vaktë, e dridhshme e hënës së parë të plotë të pranverës.
Jemi mbledhur në emër të Zotit,
Ai është këtu, me ne, ashtu si na pati premtuar.
Me ne është edhe Shenjta Mari.
Ajo ishte në majë të Golgotës,
si Nënë e Birit që vdiste.
Nxënëse e Mësuesit të së vërtetës
Evë e re rrëzë drurit të jetës.
Grua e dhimbjes,
pranë "Njeriut të dhimbjeve", që e di mirë ç'është vuajtja;
Bijë e Adamit, Motra jonë, Mbretëresha e Paqes.
Nënë e mëshirës, ajo përkulet mbi bijtë e vet
që rishtas janë në rrezik, e janë plot ankth
për t'ua lehtësuar vuajtjet,
për të dëgjuar rënkimet që ngrihen nga mjerimi i tyre;
për t'i ngushëlluar e për të ngjallur shpresën e paqes.
Nga kraharori i shporuar i Shëlbuesit gufon ende gjak;
gjak derdhet e shtohen viktimat
e urrejtjes, të luftës, të terrorizmit.
Bëj, o Zot, që ngjarjet e botës
të rrjedhin sipas vullnetit tënd, në drejtësi e paqe,
e Kisha jote t'i kushtohet me besim të plotë, shërbimit tënd e çlirimit të njerëzimit!








All the contents on this site are copyrighted ©.