2016-03-23 17:30:00

Papa: të mos i harrojmë të krishterët e persektuar në Irak


Nga 1 deri më 4 prill fondacioni “Ndihmë për Kishën që vuan” do të jetë  në Erbil, kryeqendër e Kurdistanit irakian. Me këtë rast Papa Françesku deshi t’i besojë ipeshkvit të Carpi-t, imzot Francesco Cavina,  disa petka meshe dhe një kontribut personal financiar, për të krishterët irakianë. Prelati do të bëjë pjesë në delegacionin e kryesuar nga drejtori i NDKV-Itali, Alessandro Monteduro, së bashku me përfaqësues të disa dioqezave italiane. Sapo Ati i Shenjtë u njoftua për këtë udhëtim, tregon imzot Cavina, më telefonoi, duke më shprehur dëshirën të dërgojë një dhuratë për vëllezërit tanë në fe, që persekutohen në Irak.

Ftesa e Papës për të mos e harruar dramën e të krishterëve të persekutuar

Papa i dorëzoi imzot Cavina-s edhe një letër, në të cilën shpreh kënaqësinë për udhëtimin e organizuar nga NDKV. E quan “nismë, që shpreh miqësinë, bashkimin kishtar dhe afërsinë me shumë vëllezër e motra, vuajtjet e të cilëve e hidhërojnë thellësisht” dhe përsërit ftesën për  mbrojtjen e të drejtës së patjetërsueshme të çdo njeriu për ta dëshmuar lirisht fenë e vet. Françesku fton edhe “të mos harrohet drama e persekutimit, duke vërejtur se dëshmia e fesë guximtare dhe durimtare e shumë dishepujve të Krishtit i kujton Kishës mbarë detyrën për të zbuluar burimin  ujëplotë të misterit të Pashkëve, nga i cili duhet të marrë energji, forcë e dritë për humanizmin e ri”.

Nuk është thjesht vepër bamirësie, por ndihmë për “Korpin e Krishtit”.

Mëshira, vijon Papa, na fton të përkulemi mbi plagët e këtyre vëllezërve, për t’u terë lotët, për t’u mjekuar plagët fizike e morale, për t’i ngushëlluar zemrat e tyre të thyera e ndoshta, edhe të përhumbura. Nuk është thjesht vepër e detyrueshme bamirësie, por ndihmë, që i jepet vetë korpit tonë, sepse të gjithë të krishterët, falë një Pagëzimi të vetëm, janë një gjë e vetme “në Krishtin”.

Vizitë të krishterëve të Ankawa-s

Në Kurdistan, delegacioni do të takohet me Bashar Matti Warda-n, kryeipeshkëv kaldeas i Erbilit, me të cilin do të vizitojë Qendrat e refugjatëve në lagjet e jashtme të Ankawa-s, me shumicë kristiane. Ndërmjet tyre, edhe fshati Atë Werenfried, i pagëzuar me emrin e themeluesit të NDKV, atë  Atë Werenfried van Straaten, një vendbanim me nja 150 shtëpi të parafabrikuara, dhuruar nga NDKV, ku jetojnë 175 familje të krishtera. Vizita do të vijojë në shkolla të parafabrikuara, edhe këto, të dhuruara nga NDKV, që u krijojnë 7 mijë fëmijëve mundësinë të vijojnë shkollën. Më pas delegacioni do të takohet edhe me imzotin Petro Mouche, ipeshkëv siro-katolik i Mosulit, i detyruar të jetojë në Erbil së bashku me besimtarët e tij, pasi qyteti u pushtua nga Shteti i vetëshpallur Islamik.

Të krishterët e Erbilit nuk kanë hequr kurrë dorë nga feja e tyre

“Ndihmë për Kishën që Vuan” i ka mbështetur që në çastet e para refugjatët në Kurdistanin irakian – kujton Alessandro Monteduro, drejtor i NDKV-Itali. - U kemi siguruar ushqim, shtëpi, shkolla, që të mund të jetonin denjësisht. Pa harruar kurrë edhe ndihmën baritore, që të krishterët të mund ta jetonin plotësisht fenë e tyre. Një fe, të cilën e mbrojtën me guxim të pashoq e po vijojnë ta mbrojnë dhe me çmimin e jetës.

NDKV mbështeti për Kreshëm gjashtë projekte për të krishterët irakianë

Nga qershori 2014, deri më sot, NDKV u ka dhuruar të krishterëve irakianë 15 milionë e 100 mijë euro. Ndihma për të krishterët irakianë vijoi edhe këto ditë Kreshmësh, gjatë të cilave seksioni italian i fondacionit papnor mbështeti gjashtë projekte të ndryshme, për të ndihmuar 250 mijë të krishterët që kanë mbetur në Irak. Në këtë fushatë morën pjesë, me donacione bujare, edhe dioqeza e Carpi-t dhe e Ventimiglia-San Remo-s.








All the contents on this site are copyrighted ©.