2016-03-23 13:56:00

Papa: Treditëshi i Pashkëve: ditë mëshire e heshtjeje


Treditëshi i Pashkëve është mister i madh i dashurisë dhe i mëshirës. Kështu i quajti Françesku, në audiencën e përgjithshme, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, çastet thellësisht prekëse të Mundimeve dhe të vdekjes së Krishtit, të cilat Kisha do të fillojë t’i jetojë thellësisht që nesër.  Papa ftoi për ta jetuar këtë kohë liturgjike në heshtje, me besimin marian, që nuk dyshon, por vetëm shpreson.

Tri ditë mëshire. Orë për orë. Janë ditët, në të cilat Jezu Krishti jeton çastet e fundit mbi tokë. Ditë mëshire, që e tregojnë prekshëm deri ku mund të arrijë dashuria e Zotit.

Treditëshi i Pashkëve është përkujtesë e dramës së dashurisë 

Françesku foli në një mëngjes të ngrysur, nën një qiell ngjyrë hiri. E kjo atmosferë e thellonte dhe më shumë ndjesinë e trishtimit në shpirtin e Papës dhe të 30 mijë besimtarëve në Sheshin e blinduar. Të kujtonte një tragjedi tjetër, të freskët, sot, ky Shesh ngjyrë metali: atë të  Brukselit e edhe të Evropës, që po jeton nën kërcënimin e terrorit. E, në këtë atmosferë, reflektimi i Françeskut për Treditshin e Pashkëve - përvojë vdekjeje  e prelud jete,  që nuk mbaron – tingëlloi si mesazh shprese, që do të bredhë mbi botë përtej kufijve të fesë:

“Misteri, që adhurojmë këtë Javë të Shenjtë, është histori e madhe dashurie, që nuk njeh pengesa. Mundimet e Jezusit zgjasin deri në fund të fundit të botës, sepse është histori, që jetohet me vuajtjet e mbarë njerëzimit dhe prani e përhershme në ngjarjet e jetës personale të secilit prej nesh. Me një fjalë, Treditshi i Pashkëve është përkujtesë e një drame dashurie, që na siguron se nuk do t’i jetojmë kurrë vetëm provat e jetës”.

Jezusi na dhurohet ne, që ne të mund t’i dhurohemi të tjerëve

Tri ditët e mëshirës nisin të enjten, Ditën e Zotit, kur Krishti bëhet shujtë në Eukaristi e shërbëtor në këmbët e Apostujve. Me një domethënie të re, që Papës iu duk e arsyeshme ta nënvizojë:

“Duke na u dhënë ne si ushqim, Jezusi vërteton se duhet ta ndajmë me të tjerët këtë shujtë, për t’u bërë bashkim i vërtetë jete me të gjithë ata, që kanë nevojë. Ai na dhurohet ne e na kërkon të mbetemi në Të, për të bërë edhe ne të njëjtën gjë”.

Zoti hesht për dashuri

E Premtja e Madhe është dita e dashurisë në kulmin e saj. Shën Agostini e quan, kujtoi Papa,  dashuri që shkon në fundin e pafund e që, siguroi Françesku, kërkon t’i përqafojë të gjithë, pa përjashtuar askënd.

Së fundi, e Shtuna e Madhe, dita e Zotit në varr. Dita, nënvizoi Papa, e heshtjes së Zotit:

“Zoti hesht, por për dashuri. Në këtë ditë dashuria e heshtur bëhet pritje e jetës në ringjallje. Ta mendojmë thellë të Shtunën  e Madhe! Do të na bëjë mirë ta meditojmë heshtjen e Zojës së Bekuar, ‘besimtares’, në pritje të Ngjalljes. Zoja duhet të jetë për ne, ikona e kësaj së Shtune të Madhe. Ta mendojmë si e jetoi Nëna e shenjtë këtë të Shtunë, në pritje. Me dashuri, që nuk di të dyshojë, por që shpreson në fjalën e Zotit. Shpreson e pret të bëhet dita e ndritshme e Pashkëve”.

Jezusi i thotë secilit nga ne: “Nëse do të mund të vuaja më shumë për ty, do ta bëja”.

Françesku e përfundoi katekizmin duke kujtuar Giuliana di Norwich, mistike angleze e Mesjetës që, megjithëse analfabete, i përshkroi me një forcë të veçantë Mundimet e Krishtit, duke nënvizuar në to, në mënyrë të thellë e prekëse, kuptimin e dashurisë përdëllyese të Zotit. Papa citoi, në vijim, një dialog, në të cilin e Lumja falënderon Krishtin për dhuratën e mundimeve të Tij dhe përsëriti përgjigjen, që i dha Jezusi mistikes: “Pësimi i mundimeve të mia për ty,  për mua është gëzim, lumturi, galdim i amshuar; e nëse do të mund të vuaja edhe më shumë, do ta bëja edhe këtë”:

“Ky është Jezusi ynë, që i thotë secilit nga ne: ‘Po të mund të vuaja më shumë për ty, do ta bëja’. Sa të bukura janë këto fjalë! Që na ndihmojnë ta kuptojmë thellësisht dashurinë e pafundme e të pakufishme, që ka Zoti për secilin nga ne”.








All the contents on this site are copyrighted ©.