2016-03-23 12:21:00

Papa: atentatet në Bruksel, mëri mizore e fundamentalistëve të verbër.


Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa Françesku foli për atentatet e djeshme dramatike në Bruksel, që shkaktuan 31 të vdekur dhe 250 të plagosur.

Me zemër të brengosur, Ati i Shenjtë ndoqi dje lajmet e trishtuara për atentatet terroriste. E tani vijon ta ndjekë situatën e rëndë me lutje, duke e ndjerë veten shumë pranë popullit të dashur belg, të mbarë familjarëve të viktimave dhe të plagosurve:

“U bëj thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë të bashkohen për të dënuar njëzëri këtë turp e faqe të zezë, që shkakton vetëm vdekje, terror, tmerr”.

Kjo, thirrja e Papës, që kërkoi edhe një minut heshtje. E heshtja e thellë ra mbi Sheshin vigan, për t’u thyer vetëm pas ftesës së Françeskut drejtuar të gjithë besimtarëve për t’iu lutur Zotit që, në këtë Javë të Madhe, t’i ngushëllojë zemrat e munduara e t’i shndërrojë shpirtrat e njerëzve të verbuar nga fundamentalizmi mizor. Jeta është më e fuqishme se vdekja -kujtoi Papa - duke iu lutur Zotit ta shndërrojë dhimbjen e atyre, që vuajnë, në shëlbim; kryqet e tyre, në Ringjallje.

Pastaj i ftoi besimtarët për të thënë së bashku një Falemimëri për shpirtrat e të vdekurve e të të gjallëve, që të gjejnë prehje e ngushëllim. 

Në përfundim, bekimi papnor: “Zoti ju bekoftë të gjithëve e ju mbrojtë nga i keqi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.