2016-03-23 15:20:00

Ipeshkvi ndihmës i Brukselit: të tronditur, por nuk duhet t’i diskriminojmë myslimanët


Sot në mesditë të gjitha këmbanat e kishave në trojet e Belgjikës, ranë mënjanë, përmortshëm, në shenjë zije. Vendi është i zhytur në trishtim e tronditje të thellë për atë që ndodhi. Të dëgjojmë imzot Jean Kockerols, ipeshkëv ndihmës i Brukselit:

Përgjigje: - C’est d’abord une réaction humaine…

Është sidomos reagim njerëzor. Jemi pa fjalë, të tronditur, të ngashëryer. Së bashku me gjithë qytetarët e Brukselit qajmë, pa arritur ta kuptojmë atë që ndodhi. E nga ana tjetër, s’ka asgjë për t’u kuptuar. Pastaj ka edhe një reagim civil nga ana e qytetarëve: të krishterët, e të gjithë banorët e qytetit, duhet t’ia besojnë vetveten atyre, që kanë marrë mandatin të qeverisin, për të siguruar ruajtjen e rendit e të sigurisë. Nuk është koha për polemika e për të treguar me gisht fajtorët, sepse nuk janë në këtë anë. Së fundi, duhet kujtuar edhe reagimi i të krishterit. Në kishat besimtarëve u drejtohet ftesa të luten për viktimat, për familjet e tyre: tani sundon akoma emocioni e fjalë e tepërta janë fukarallëk. Por duhet të vijojmë të punojmë për unitetin, për pajtimin, duke shmangur rrezikun që të futen të gjithë në një thes e duke u lutur.

Pyetje: - A ka, sipas jush, rrezik që frika të sundojë mbi arsyen  e njerëzit të mbyllen brenda vetes?

Përgjigje: Je crois que c’est profondément naturel d’avoir peur…

Më duket se është plotësisht e natyrshme të kesh frikë. Ndoshta një reagim i guximshëm do të ishte të thuash: “Jo, unë nuk kam frikë, sepse pikërisht guximi duhet të fitojë!”. Por gjithsesi, reagimi i parë është frika. Duhet mposhtur kjo frikë, për të rigjetur besimin: natyrisht rreziku i mbylljes në vetvete, i përçarjes, i ideve të përjashtimit të disa njerëzve, të disa kategorive njerëzish, nuk përjashtohet. Në Bruksel rreth 20% e popullsisë është e besimit mysliman. Krijohet rreziku i mbylljes së kësaj popullate në geto. Nuk bëhet fjalë vetëm për geto gjeografike, por sidomos, e për fat të keq, ideologjike e sociologjike. 








All the contents on this site are copyrighted ©.