2016-03-23 18:17:00

Gjatë Treditëshit të Pashkëve, Kisha i fton besimtarët t’ia hapin zemrat misterit të Ngjalljes.


Gjatë Treditëshit të Pashkëve, Kisha thekson rëndësinë e riteve të Javës së Madhe të Pashkëve, thelb i tërë vitit liturgjik, dhe na fton t’ia hapin zemrat misterit të Ngjalljes së Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të njerëzimit. Prandaj, Kisha na fton në një reflektim të thellë për Javën e Madhe, dhe na krijon kushtet e përshtatshme të thellohemi në kuptimin e ngjarjeve kryesore të Shëlbimit, duke i hapur zemrat tona për të kuptuar dhuratën e paçmueshme të shëlbimit, që u arrit përmes flijimit, do të thotë përmes mundimeve, vdekjes mbi kryq e Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Sa i mrekullueshëm e njëherësh mahnitës është ky mister! Jezusi, megjithëse është Zot, nuk dëshiron t’i mbajë vetëm për vete privilegjet hyjnore; është Hyj, por nuk do ta përdorë hyjninë e tij, dinjitetin e tij të lavdishëm e pushtetin e tij si mjet ngadhënjimi e shenjë që tregon sa larg është nga ne. Përkundrazi ‘e zbraz vetveten’, duke marrë natyrën e mjerë e të ligshtë njerëzore.

Hyji u bë njeri si ne, në gjithçka, përveç mëkatit – shpjegon Kisha  në katekizëm – gjë që e çoi Jezu Krishtin deri tek kufiri, i cili është shenjë e fundit tonë: tek vdekja. Por kjo që ngjau, nuk ishte fryt i lojës së verbër të fatit. Krishti e zgjodhi lirisht rrugën e tij, duke pranuar të përmbushte me bujari planin shëlbues të Atit.

Gjithë këtë Zoti i gjithësisë e bëri për dashurinë tonë; për dashuri ai e zbrazi vetveten e u bë vëllai ynë; për dashuri u bë njeri si ne, si çdo burrë e si çdo grua.
Në këtë Javë të Pashkëve, Kisha shpjegon edhe domethënien e riteve, që kremtohen gjatë Javës së Madhe, java më e rëndësishme e vitit.

Prelud i Treditëshit të Pashkëve është Mesha e Bagmit, që kremtohet paraditen e së Enjtes së Madhe në të gjitha Kishat Katedrale nëpër dioqeza të mbarë botës. Në këtë kremtim solemn përsëriten premtimet meshtarake, të shqiptuara ditën e shugurimit. Është rast i përshtatshëm për meshtarët për të përsëritur besnikërinë e tyre ndaj Krishtit, që i zgjodhi në shërbim të tij. Ky takim është pothuajse edhe një përgatitje e veçantë për Vitin e Mëshirës, që kremtohet sivjet.
Me Meshën e Darkës së Mbrame të Zotit Jezu Krishtit me apostujt, pasdite apo në mbrëmje, Kisha përkujton themelimin e Eukaristisë, të Meshtarisë e të Urdhërimit të ri të Dashurisë së krishterë. Nën trajtën e bukës e të verës, Krishti bëhet i pranishëm me korpin, që dhuroi e me gjakun, që derdhi në shpërblim të mbarë njerëzimit. Është flija e Besëlidhjes së re e të amshuar, që u dhurohet të gjithëve, pa dallim race e kulture. E për këtë rit sakramentor, të cilin ia dorëzon Kishës si provën më të lartë të dashurisë së tij, Jezusi cakton si mbarështues nxënësit e vet e të gjithë ata, që do të vijojnë shërbimin e tyre në rrjedhë shekujsh.

E Enjtja e Madhe, na fton ta falënderojmë Zotin për dhuratën më të lartë, Eukaristinë, e cila duhet marrë me devocion e duhet adhuruar me fe të gjallë. Prandaj Kisha i inkurajon besimtarët që, pas kremtimit të Meshës Shenjte, të rrinë pranë të Shenjtnueshmit Sakrament e të luten, në këtë Natë kur mbarë Kisha rri zgjuar, në pritje.

E arrijmë, kështu, tek e Premtja e Madhe, ditë në të cilën, gjunjëzohemi në heshtje para Jezusit të mbërthyer me gozhda mbi drurin e Kryqit, ku flijon jetën për faljen e mëkateve të njerëzimit. Ashtu si përballë Eukaristisë, edhe përballë mundimeve e vdekjes së Jezusit në Kryq, misteri bëhet i pamatshëm për arsyen e njeriut. Jemi para një ngjarjeje që mendjes njerëzore mund t’i duket fare pa kuptim: para një Zoti i cili jo vetëm që bëhet njeri, jo vetëm që vuan për të shpëtuar njeriun, duke marrë mbi vete gjithë barrën tragjedisë së njerëzimit, por edhe vdes për njeriun.

Vdekja e Krishtit na kujton dhimbjet e të këqijat pa mbarim që rëndojnë mbi njerëzimin në të gjitha kohët: barrën shtypëse të vdekjes sonë, urrejtjen e dhunën, që vijojnë ta gjakosin tokën. Mundimet e Krishtit vijojnë në mundimet e njerëzve.

E Premtja e Madhe është ditë e ngarkuar me trishtim, por njëkohësisht edhe dita më e përshtatshme, në të cilën mund e duhet ta rizgjojmë fenë tonë, ta fuqizojmë shpresën tonë e, sidomos, guximin për ta mbartur secili kryqin e vet me përvujtëri e besim, i lëshuar plotësisht në dorën e Zotit.

E kjo shpresë ushqehet në heshtjen e thellë të së Shtunës së Madhe, në pritje të Ngjalljes së Jezusit. Lutja e heshtja e së Shtunës së Madhe na çojnë tek nata solemne, e pagjumë, e Pashkëve, ‘nënë e të gjitha netëve pa gjumë’, kur në mbarë kishat e bashkësitë shpërthen gëzimi për ngjalljen e Krishtit. E shpallet përsëri fitorja e dritës mbi errësirën, e jetës mbi vdekjen, e Kisha galdon në takimin me Zotin e vet.

Në përfundim Kisha i ftoi besimtarët ta jetojnë thellësisht treditëshin e Shenjtë, për të marrë, kështu, pjesë me gjithë zemër në Misterin e Jezu Krishtit, do të thotë në Misterin e fesë sonë të krishterë.








All the contents on this site are copyrighted ©.